Kjo është hapësira ku së shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e kompleksit të 4 kullave “Durrësi Tower”.

Në zemër të Durrësit, disa metra larg bashkisë së qytetit dhe Drejtorisë së Tatim Taksave, do të hedhin shtat 4 kullat, më e larta e të cilave është 30 kate dhe më e ulta 8 kate,

Kompleksi shumëkatësh do të ndërtohet në zonën historike të qytetit bregdetar, vetëm disa dhjetëra metra larg në vijë ajrore nga banesat që rrezikojnë të shemben për t’i hapur rrugë prrojektit të shumëdebatuar TID Durrës, që synon rijetëzimin e qendrës historike të qytetit antik.

Në të njëjtën kohë, kullat shumëkatëshe do të ndërtohen shumë pranë zonës, ku mendohet se ekzistonte në lashtësi teatri antik i qytetit, të cilin e përmend në raportet e saj edhe AADF, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që ka hartuar projektin për ndërhyrjen në zonën TID Durrës.

Kulla 30 kate do të nisë së shpejti së ndërtuari, pasi projekti ka marrë pak ditë më parë lejen e ndërtimit, e cila mban datën 19 shkurt. Subjekti ndërtues është kompania T & XH shpk, e cila në QKB figuron me administrator Përparim Cena.

Në vendin ku do të ndërtohen 4 kullat është vendosur tabela e punimeve, ku specifikohen të gjitha detajet teknike lidhur me ndërtimin e tyre.

Projekti “Durrësi Tower” do të zhvillohet në vend të godinave 2 dhe 3 kate në pronësi të familjes Fani. Kulla më e vogël që do të ndërtohet do të jetë 8 kate, ndërsa të tjerat 17, 24 dhe 30 kate.

Lartësia e kullës më të gjatë do të jetë 110 metra, ndërsa sipërfaqja e truallit ku do të hedhin shtat 4 kullat është rreth 1430 m2.

Godina shumëkatëshe do të ketë 3 kate nëntokë me sipërfaqe ndërtimi 4289 m2., ndërsa sipërfaqja e ndërtimit mbi tokë është 21.455 m2,

4 godinat shumëkatëshe, do të ndërtohen në një zonë që ka densitet ndërtimesh, por edhe densitet lëvizhmërie automjetesh në çdo orë të ditës, për shkak të afërsisë së saj me sheshin “Liria”.

Projekti shumëkatësh pritet të realizohet brenda 60 muajve. Leja për të u dha në shkurt të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Me prishjen e godinave 2 dhe 3 kate mbi të cilat do të ndërtohen kullat, qyteti do të humbë një nga banesat e stilit liberty dhe neoklasik dhe gjithashtu një nga 12 instalacionet e shtegut të “Dyerve të vjetra”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit EU4Culture.

M.B.