Kulla Veneciane u kthye në një skenë arti për një natë, ku bashkohej e kaluara dhe e tashmja, monumenti historik dhe historia e mbijetesës së tij.

Nata kulturore “Epidamn” u rikthye këtë henë në Kullën Veneciane ku mblodhi një publik nga të gjitha grupmoshat në një shfaqje ku ndërthureshin në një forma të ndryshme të artit.

“Qëllimi është që pas rijetëzimit të monumentit falë programit EU4Culture, historia e tij të bëhet sa më e prekshme nga të gjithë”, thotë specialistja e komunikimit Livia Kreko.

Në hyrje të Kullës Veneciane, të ftuarit i priste një minikullë që po punohej live me teknikën Quilling nga Donald Llaperi. Artisti i ri ka tërhequr jo pak vëmendjen e artdashësve me punimet e tij të veçanta.

Momentet më të veçanta të mbrëmjes i solli performanca “Ekuilibër” e Erdit Asllanajt, e cila nisi me përfshirjen e të gjithë të pranishmëve në të.

Përmes isopolifonisë, muzikalitetit të instrumenteve tradicionalë dhe shumë të vjetër, por edhe akustikës magjepsëse të monumentit, artisti i ri përcolli mjaft emocione tek të pranishmit. Në mënyrë autodidakte, ai po perfeksionon veten çdo ditë për të luajtur me hangun, longarinë etj.

Nata “Epidamn” në Kullën Veneciane pasoi ato të mbajtur një muaj më parë në Hamamin e qytetit, një tjetër monument historik ky i rijetëzuar dhe tashmë i vizitueshëm për vendasit dhe të huajt.

M.B.