Pritet që vitin e ardhshëm të hapen aplikimet për licencimin e operatorëve që do të lejohen të kultivojnë dhe përpunojnë kanabisin në vend për qëllime mjekësore.
Nga Ministria e Shëndetësisë në raportin e monitorimit të treguesve të 8 mujorit është raportuar realizimi i një shpenzimi me vlerë 4,7 mln lekë nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it. Burime nga Ministria e shëndetësisë sqaruan për Monitor se shuma e raportuar është shpenzuar për trajnimet e punonjësve të Agjencisë. Ndërsa aplikimet pritet të nisin vitin e ardhshëm, pas përfundimit të miratimeve të akteve nënligjore. Miratimi i tyre do të mundësojë zbatimin e ligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale”.
“Gjatë vitit 2024 është çelur produkti Subjekte të licencuara dhe të lejuara për kultivimin e bimës së Cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, i cili përfaqëson aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të CANNABIS-it, me një realizim 4,793,492 lekë. Për këtë institucion nuk mund të kemi ende sasi faktike, do të nisim ta parashikojmë në fund të vitit 2024”, citohet në raportin e monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë.
Po ashtu, pas miratimit nga Ministria e Shëndetësisë së formatit të licencës për ushtrimin e aktivitetit për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore, dhe VKM të Këshillit të ministrave për përcaktimin e pagesës së anëtarëve të komisionit të licencimit, ka përfunduar hartimi i udhëzimit për përdorimin e tarifës së licencimit.
Mësohet se nga dy ministrisë ka përfunduar hartimi i udhëzimit të përbashkët dhe i ka kaluar për miratim Këshillit të Ministrave, ku është përcaktuar se 70% e arkëtimeve nga tarifat e licencimit do t’i kalojnë buxhetit të shtetit dhe 30% buxhetit të Agjencisë Kombëtare të Cannabis-it.
Sipas Nenit 14 të ligjit, operatorët që do të kërkojnë të pajisen me licencë, do të paguajnë në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë në vlerën 100,000 lekë, e cila është e pakthyeshme. Ndër të tjera Neni 15 i ligjit përcakton se pas vitit të tretë, operatorët do të paguajnë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5% të qarkullimit vjetor, por, në çdo rast, jo më pak se 10, 000, 000 lekë. Procedura e pagimit të tarifës dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife do të me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit për shëndetësinë.
Pas miratimit në 2023 të ligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale” edhe në Shqipëri kultivimi dhe përpunimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, konsiderohet aktivitet i lejuar nëpërmjet operatorëve të licencuar.
Ligji parashikon detyrimin se aksionari i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet: i. të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vjet; ii. të jetë zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat për të paktën 3 vjet.
Pranë Agjencisë është krijuar edhe Komisioni i Licencave. Komisioni i licencave përbëhet nga 7 anëtarë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit rural dhe Ministrisë së Ekonomisë
Ndërsa nga Këshilli i Ministrave në muajin Maj 2024 u miratua vendimi “Për përcaktimin e pagesës së anëtarëve të komisionit të licencave për kultivimin e Cannabisit për qëllime mjekësore”. Vendimi përcaktonte se anëtarët e emëruar në Komisionin e Licencave për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore përfitojnë do të përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë komision, në masën 25, 000 lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 pagesa në vit.
Gjithashtu më herët në muajin shkurt, u miratuar urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, ku përcaktohej formati i licencës për ushtrimin e aktivitetit për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Ligji përcakton se licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
PROCEDURA E PAJISJES ME LICENCË PËR USHTRIMIN E AKTIVITETEVE TË LIDHURA ME PRODHIMIN E CANNABISIT PËR QËLLIME MJEKËSORE
1. Licenca për prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore mund të përmbajë veprimtaritë e mëposhtme:
1. a) kultivimin, prodhimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore
2. b) transportimin e farërave, bimëve dhe produkteve e nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore në territorin e Republikës së Shqipërisë;
3. c) eksportin e bimëve, produkteve dhe nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore.
2. Licenca jepet për një ose disa veprimtari, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë, për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia. Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
3. Licenca i jepet vetëm subjektit që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj, si dhe vetëm për njësitë dhe aktivitetin e kërkuar e të përcaktuar në planzhvillimin e saj, duke përcaktuar koordinatat e vendndodhjes së njësive dhe marrëdhënien e subjektit me tokën.
4. Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme. Licenca ka si pjesë përbërëse të saj aktivitetet për të cilat subjekti licencohet, me plotësimin e kërkesave të përcaktuara në këtë ligj.
5. Nëse në licencë është përcaktuar se aktivitete të caktuara, të parashikuara në licencë, mund të kryhen tërësisht apo pjesërisht nga subjekte të tjera, këto subjekte do të verifikohen në lidhje me plotësimin e kushtit të pastërtisë së figurës, si dhe përcaktohen shprehimisht në licencë. Ndryshimet që lidhen me tjetërsimin e pronësisë së këtyre subjekteve kërkojnë miratimin paraprak me shkrim të Komisionit të Licencimit. Komisioni jep ose refuzon miratimin paraprak, brenda 3 muajve nga paraqitja e plotë e kërkesës, mbështetur në dokumentacionin e përcaktuar në lidhje me verifikimin e pastërtisë së figurës.
6. Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti ka plotësuar kriteret. Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra-tjetrën dhe, në çdo rast, jo më shumë se 4 njësi në të njëjtën licencë.
7. Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë
8. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
9. Kërkuesi, për t’u pajisur me licencë, paguan në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, e cila është e pakthyeshme. Procedura e pagimit të tarifës dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
10. Kushtet e dhënies së licencës, të përcaktuara në pikën 2, të nenit 15, duhet të respektohen nga subjekti i licencuar gjatë të gjithë kohëzgjatjes së vlefshmërisë së saj. Çdo 3 vjet kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.
11. Jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së licencës, subjekti mund të kërkojë rinovimin e saj kur provon se plotëson kushtet e pajisjes me licencë sipas përcaktimeve të këtij ligji./Monitor/