Arrestohet një person dhe procedohen gjashtë të tjerë në Korçë. Mësohet se është arrestuar 20-vjeçari E.T, pasi ka kultivuar bimë kanabisi në një lagje të Korçës.

Ndërkohë janë proceduar penalisht gjashtë përsona kryesisht për vjedhje, shpërndarja e fotove e të dhënave të disa personave në rrjetet sociale, vendosja e çadrave pa leje, dhuna ndaj të miturit si dhe shkaktimi i aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin E. T., 20 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kultivuar disa bimë narkotike në lagjen nr. 6, Korçë. 

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për një 16-vjeçar banues në Tiranë, pasi dyshohet se më datë 11.07.2024, në lagjen nr. 7 Korçë, ka vjedhur disa steka me cigare dhe një shumë parash. 

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin R. K., 44 vjeç, banues në Pogradec, pasi ka shpërndarë të dhëna dhe foto të disa shtetasve, në rrjetet sociale.

Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit: 

– Sh. A., 64 vjeç, banues në Maliq, pasi u kap duke vendosur disa çadra për zhvillim aktiviteti tregtar, pa lejen përkatëse; 

– M. B., 40 vjeç, banues në Fshat-Maliq, pasi dyshohet se ka goditur me shuplakë një shtetas të mitur. 

Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet ne Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit O. K., 47 vjeç, banues në Korçë dhe Ç. Ç., 45 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, pasi në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, automjetet që drejtonin janë përplasur dhe si pasojë janë dëmtuar lehtë 5 shtetas, pasagjerë nga të dyja automjetet.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.