Pesë persona janë arrestuar në Elbasan, pasi kultivonin dhe shisnin kanabis. 

Në pranga kanë rënë S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve dhe përreth saj janë gjetur 150 bimë narkotike shumica të kultivuara në tokë dhe një pjesë e bimëve në proces tharjeje, një sasi kanabisi gati për shitje, 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro dhe 6770 paund, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Tre të tjerët janë – K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi), pasi në ambientet rreth banesës së shtetasit K. Sh., janë gjetur disa bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe një sasi kanabis gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, bazuar në informacionet e grumbulluara si rezultat i hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Forcës Operacionale të DVP Elbasan, dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor antidrogë të koduar ‘Vashaj’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta.