Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Autoritetet bëjnë me dije se në pranga ka rënë 25-vjeçari i identifikuar me inicialet N. S., banues në Baldushk, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëpuntori i tij shtetasi I. Sh., 39 vjeç.

Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Baldushku”, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të kontrollit, në banesën e shtetasit I. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike (përforcues grushti), doreza plastike dhe maska.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kultivonin bimë narkotike në zona malore në fshatin Baldushk, e përpunonin dhe e shisnin lëndën narkotike te blerës të ndryshëm, kundrejt pagesës 700 euro një kilogram.

Në zonën e Baldushkut, shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar dhe më pas arrestuar në flagrancë shtetasin N. S., 25 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Policia vijon punën vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.