Një shqiptar 46-vjeçar, i cili është arrestuar në Britaninë e Madhe pasi policia gjeti në shtëpinë e tij më shumë se 300 rrënjë kanabis, pritet të dëbohet menjëherë për në Shqipëri pasi të përfundojë dënimin e tij me 6 muaj burg.

Arben Bakillari, emigrant i paligjshëm, i cili kishte shkuar në Angli i fshehur në një kamion, kishte ngritur një laborator droge me kanabis të mbjellë në vazo në shtëpinë ku ai banonte.

Ai u arrestua në flagrancë më 13 nëntor, në orën 3:20 të mëngjesit, dhe sipas prokurorit të çështjes, ai kishte tentuar të largohej me vrap kur policët i hynë në shtëpi.

Mediet britanike shkruajnë se shqiptari ka thënë para autoriteteve se ai ishte përpjekur të fitonte para për të bërë të mundur një ndërhyrje kirurgjikale për një problem që kishte me hernien diskale. Pasi të fitonte disa para, ai dëshironte të kthehej në Shqipëri pranë familjes së tij, gruas dhe fëmijëve 14 dhe 19 vjeç.

S.L.