Policia ka arrestuar ditën e sotme dy persona në qyetin e Shkodrës. Babë e bir u arrestuan, pasi dyshohen se kanë kultivuar një numër të konsiderueshëm fidanësh kanabis.
Bima narkotike u gjet në vendin e quajtur “Këneta”, njësia administrative Dajç. Policia po heton më shumë mbi rastin.
Njoftimi i policisë
Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional “Faza e parë”, për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në fshatin Mali i Gjymtit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan shtetasit P. D., 60 vjeç dhe A. D., 41 vjeç, të dy banues në fshatin Dajç, pasi dyshohet se kanë kultivuar një numër të konsiderueshëm fidanësh të dyshuar narkotikë kanabis, që u gjetën në vendin e quajtur “Këneta”, njësia administrative Dajç. Operacioni antikanabis i koduar “Faza e parë” vijon”.





