Dritë jeshile pas mosmarrëveshjeve mes të djathtës dhe të majtës për buxhetin e kulturës dhe Këshillin Kulturor. Pas negociatash intensive, kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, arrin në parim marrëveshjen që çon në formatimin e Këshillit të Kulturës dhe miratimin e fondeve për “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit”
Duket se pas një situate ngërçi në procesin e miratimit të Këshillit Kulturor dhe një atmosfere të ngarkuar që parashikonte tensione të larta dhe bllokim të procesit të miratimit të buxhetit,është çelur drita jeshile në fund të tunelit të këtyre mosmarrëveshjeve. Shkak për këtë situatë ka qenë jo vetëm bllokimi prej disa muajsh i procesit të miratimit të Këshillit të Kulturës, por edhe prezantimi në draftin e projekt buxhetit nga ana e administratës së Bashkisë së Durrësit i fondeve të detajuara të destinuara për aktivitete të rëndësishme kulturore si “Festivali Ndërkombëtar i Filmit”,”Festivali i Dancit Modern” etj. Sipas reagimeve të para nga e djathta, këto fonde nuk mund të detajohen dhe nuk mund të miratohen në mënyrë absolute, pasi ligjërisht për bërë këtë duhej që në radhë të parë të miratoheshin nga Këshilli i Kulturës. Nga ana tjetër Bashkia e Durrësit kish ngritur pretendimin se mos miratimi i Këshillit të
Kulturës nuk është bërë në mënyrë të qëllimshme nga ana e këshilltarëve të PD-së dhe në këto kushte është bërë prezantimi i fondeve në draft-projektin e buxhetit 2012. Në një situatë të tillë kur nga njëra anë Bashkia e Durrësit ka anashkaluar këshillin Kulturor duke i bërë fakt financimet e aktiviteteve kulturore dhe nga ana tjetër këshilltarët e PD-së janë shprehur kategorikisht kundër këtij prezantimi pa miratimin e Këshillit Kulturor, miratimi i buxhetit shikohej si një proces i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Pikërisht në momentin kur situata përsa i përket miratimit të buxhetit 2012 parashikohej e vështirë, për të mos thënë pa rrugëdalje, ka qenë ndërhyrja intensive e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, i cili pas konsultimeve intensive mes të dy palëve ka arritur një marrëveshje xhentëllmenësh në parim për zgjidhjen e këtij ngërçi. Marrëveshja ka konsistuar për pranimin në parim si nga përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit ashtu dhe nga ata të PD-së të emrave që do të përbëjnë Këshillin e ri Kulturor, ashtu dhe miratimin pa qenë nevoja e kalimit në Këshillin e Kulturës të fondeve për “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit”, një aktivitet madhor dhe me tradita për Durrësin.
Përsa i përket aktiviteteve të tjera kulturore ato nuk do të miratohen pa pasur më parë ok-in e Këshillit të Kulturës. Në thelb, marrëveshja konsiston jo vetëm në zgjidhjen e ngërçit të emrave që do të përbëjnë Këshillin Kulturor dhe formësimin e këtij këshilli,por edhe kalimin si një rast të veçantë për miratim direkt në Këshillin Bashkiak, të aktivitetit madhor të “festivalit Ndërkombëtar të Filmit”. Në fakt dhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako kish deklaruar në një intervistë për gazetën “Dyrrah” se qëllimi i të djathtës ishte bllokimi i “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit” dhe me këtë marrëveshje ky pretendim bëhet nul. Me arritjen në parim të kësaj marrëveshjeje inteligjente, sheshohen kontradiktat dhe çelet drita jeshile për miratimin e buxhetit, formatimin e Këshillit të Kulturës dhe realizimin e “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit”.Me një marrëveshje të tillë, të gjitha palët pritet të jenë të kënaqura jo vetëm për strategjitë e tyre politike dhe parimore, por mbi të gjitha për interesin e qytetarëve durrsakë. Gjithsesi, marrëveshja e iniciuar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, pritet të formësohet në momentin kur të faktorizohet kjo marrëveshje, gjë që do të bëjë të mundur që jo vetëm të jenë gati fondet për sezonin turistik dhe për një aktivitet madhor si Festivali ndërkombëtar i Filmit, por dhe të krijohet një klimë më e mirë bashkëpunimi mes palëve, në interes të qytetarëve durrsakë.