Këto paragrafë, marrë nga vëllimi “The Ottoman Turks, an Introductory History to 1923” (London, 1997), përshkruajnë në mënyrë efikase filozofinë e punës në Perandorinë osmane, sidomos në burokracinë dhe në sektorin tatimor. Është interesante kur shikohet sesa analogji ndeshen me sistemin e sotëm të punës, si provë e ndikimit të thellë të trashëgimisë osmane në trevat ballkanike.
Burokracia në Perandorinë osmane
Anëtarët e burokracisë qenë shpesh, por jo gjithmonë, lidhur ngushtë me klasën e “ulemave” (ekspertë të ligjit dhe fesë islame). Ashtu si strukturat e tjera të qeverisë osmane, burokracia lindi si një instrument praktik dhe pragmatik i qeverisë, duke u konsoliduar, më pas, në një institucion, shpesh i quajtur “shoqatë e shkrimtarëve”. Në fillim, nën osmanët, shërbyen edhe burokratë krishterë, të cilët njihnin metodat e taksimit në vendet e pushtuara nga turqit, sepse kishin punuar me administratat bizantine apo sllave. Megjithatë, në kohën e Sulejmanit (1520-1566), pjesëmarrja në burokraci u kufizua në një klasë të ngushtë e përbërë nga muslimanë jo-skllevër, në pjesën më të madhe fëmijë të burokratëve apo fëmijë të anëtarëve të kategorisë së “ulemave” ose së “devshirmes” (djemtë e marrë nga familjet krishtere sipas “taksës së gjakut”).
Një individ që nuk ishte nga “familje e mirë” mund të hynte në burokraci nëpërmjet sistemit shkollor islamik dhe prandaj një përqindje e vogël burokratësh ishte me origjinë nga klasat e varfra. Pasi një kandidat-nëpunës kishte kaluar nivelin mesatar të sistemit shkollor islamik, rreth moshës 16 vjeçare, hynte në administratë si praktikant. Ishte ky momenti në të cilin njohjet e familjes mundnin t'a ndihmonin më shumë për të gjetur punësimin e parë me perspektivat e karrierës. Por, në fund të fundit, asnjë rekomandim i mirë nga familja nuk mund të siguronte suksesin, sepse eksperienca dhe zhdërvjelltësia politike ishin themelore për të avancuar në karrierë dhe për të mbijetuar në atë pozicion pune. Një burokrat i zoti mund të arrinte në pozicione të larta nëpërmjet një tërësie faktorësh si: kompetenca, marrëdhëniet miqësore me personazhe të fuqishëm dhe dinakëri politike. Rruga tjetër për të kapur pozicione të larta ishte ajo nëpërmjet ambienteve fetare. “Ulemat” e nivelit të lartë mund të ndryshonin “interesat në jetë”, duke kërkuar transferim nga aparati fetar në aparatin burokratik. Edhe në këtë rast ishin të rëndësishme miqësitë dhe dinakëritë politike.
Duke parë natyrën politike të burokracisë, fuqia dhe rëndësia e zyrave administrative ndryshuan gjatë historisë së Perandorisë osmane. Deri në epokën e Sulejmanit, burokratët më të rëndësishëm qenë “defterdarët” ose “përgjegjësit e regjistrave të gjendjes civile”, që drejtoheshin nga një “shef defterdar”. Zyrat e nivelit më të ulët ishin të ndara në ato lloj sektorësh organizativë që gjenden zakonisht tek qeveritë apo tek ndërmarrjet, me poste që sillnin tituj dhe përgjegjësi, të mbajtura nga nëpunës që shpesh synonin të arrinin një nivel më të lartë përsa i takon autoritetit dhe rrogës.
Pjesa më e madhe e detyrave të burokratëve osmanë mund të shihet fare lehtë edhe në disa shtete moderne, edhe pse në epokën osmane kishte metoda menaxhimi të ndryshme. Burokratët mbanin regjistrat me verbalet e vendimeve të marra nga ministrat dhe mënyrat e zbatimit të tyre, dhe regjistronin funksionimin e brendshëm të qeverisë – kush kishte çdo post, kush ishte marrë në punë, kush ishte pushuar nga puna – por detyra e tyre më e rëndësishme ishte regjistrimi i llogarive të hyrjeve dhe të daljeve.
Tender për taksambledhës
“Iltizam” ose “tender për taksambledhës” ishte bazuar mbi shitjen në ankand të së drejtës për vjeljen e taksave në një rajon të veçantë të Perandorisë osmane. Në teori, ata që i kishin ofruar shumën më të lartë Ministrisë së Thesarit fitonin konçesionin. Në të vërtetë, një gjë kaq fitimprurëse si një tender për taksambledhës nuk mund të fitohej pa një dozë të mirë korrupsioni dhe mbrojtje politike. Taksambledhësi binte dakort t'i paguante qeverisë shuma fikse në periudha kohe të caktuara. Në rastin e mos shlyerjes së pagesës, duhej të përgjigjej me para nga xhepi i vet, ose duhej të fuste miq si garantë. Pas marrëveshjes, taksambledhësi ishte i lirë të mblidhte taksat mbi pronësinë ose mbi të ardhura të tjera, zakonisht për një periudhë prej tre vjetësh. Për shembull, një taksambledhës mund të fitonte të drejtën e mbledhjes së taksave për një grup fshatrash që ishin mbajtur si “rezerva tatimore” personale të sulltanit. Taksambledhësi ishte detyruar t'i jepte Ministrisë së Thesarit pagesat sipas marrëveshjes dhe duhej të dërgonte njerëzit e tij të grumbullonin atë që mundnin nga xhepat e popullit. E bukur ishte se disa taksambledhës, pasi kishin fituar me tender një rajon, bënin “nën-tender” për t'ia dhënë me konçesion taksambledhësve të tjerë, sidomos nëse këto treva ishin shumë larg nga kryeqyteti.
Natyrisht, tenderat për taksambledhës ishin plot me abuzime. Meqë taksambledhësit kishin vetëm pak vite në dispozicion për mbledhjen e taksave, nuk kishin interes personal për mbijetesën afatgjatë të fshatarëve të zonës nën kompetencën e tyre, dhe kishin tendencë për të shfrytëzuar taksapaguesit në nivelin maksimal. Sulltani ishte kundër kësaj lloj politike dhe ekzistonin ligje që mbronin bujqit nga pangopësia e taksambledhësve: nuk ishte vetëm një çështje altruizmi, sepse të dërguarit e sulltanit e dinin se trevat e shkatërruara nga taksat tepër të rënda të vëna nga një taksambledhës nuk mund të paguanin më tej taksat për të cilat do të kihej nevojë në vitet e ardhshme. Kur qeveria qendrore ishte e fortë, ligjet që mbronin fshatarët ishin zbatuar në mënyrë të rreptë, por kur qeveria qendrore ishte e dobët, fshatarët shpesh vuanin. Zakonisht, fshatarët që banonin në trevat ku zbatonin sistemin “timar” (1) i'a kalonin më mirë, sepse përfituesit e tokës shpresonin se fëmijët dhe nipërit e tyre do të vazhdonin të jetonin në atë “timar”, kështu që kishin interes për t'ia lënë trashëgim në kushte të mira dhe jo të varfëruar. Megjithatë, qoftë fshatarët e trevave personale të sulltanit – që ishin nën përgjegjësinë direkte të taksambledhësve – qoftë fshatarët e “timar” vareshin de facto nga pushteti i qeverisë qendrore. Ishte në interes të qeverisë të garantohej që fshatarët të mos ishin tepër të mbingarkuar nga taksat, sepse, në rast të kundërt, ata do të braktisnin tokën dhe kjo do të thoshte që Ministrisë së Thesarit nuk do t'i arrinin më taksat. Pra, kur qeveria ishte e fortë, fshatarët mund të mbijetonin.
Tenderi për taksambledhësit nuk përfshinte vetëm tokat bujqësore. Në fakt, shumë nga konçesionet më fitimprurëse nuk kishin aspak lidhje me bujqësinë. I jepeshin me tender taksambledhësve edhe burime të ardhurash si minierat e arit, monopole mbi tregtinë e verës ose mbi mallra të tjera, dhe prodhimi i kripës. Taksat doganore, që përbënin pjesën më të konsiderueshme të të ardhurave të Perandorisë, ishin zakonisht të dhëna me konçesion. Taksambledhësit silleshin si zyrtarë të qeverisë, duke rekrutuar ushtarë për të “ndihmuar” mbledhjen e taksave, dhe duke pajtuar anije për të parandaluar kontrabandën. Shumë prej këtyre mbledhje taksash jo-bujqësore mund t'i ishin besuar edhe nëpunësve shtetërorë me rrogë. Taksat doganore të Stambollit i jepeshin me tender taksambledhësve që vinin nga jashtë qytetit, edhe pse kishin në dispozicion shumë nëpunës së Ministrisë së Thesarit: natyrisht, qeveria mendonte se sipërmarrja private do të jepte rezultate më të mira.
(1) “Timar” ishte dhënia e tokave oficerëve për të mbajtur ushtarët e tyre; sulltani shpërndante toka të Perandorisë (të quajtura “miri”) komandantëve ushtarakë turkë, të quajtur ndryshe “spahi”.
Autori: Justin McCarthy është profesor i Historisë së Lindjes së Mesme dhe drejtor i Institutit të Shkencave Sociale dhe Humanistike pranë Universitetit të Louisville, Kentucky.
Një burokrat mund të arrinte në pozicione të larta nëpërmjet një tërësie faktorësh si: kompetenca, marrëdhëniet miqësore me personazhe të fuqishëm dhe dinakëri politike. Rruga tjetër ishte ajo nëpërmjet ambienteve fetare, duke kërkuar transferim nga aparati fetar në aparatin burokratik, por ishin të rëndësishme miqësitë dhe dinakëritë politike.
“Iltizam” ose “tender për taksambledhës” ishte bazuar mbi shitjen në ankand të së drejtës për vjeljen e taksave në një rajon të veçantë të Perandorisë osmane. Një gjë kaq fitimprurëse si një tender për taksambledhës nuk mund të fitohej pa korrupsion dhe mbrojtje politike.
Tenderat për taksambledhës ishin plot me abuzime. Meqë taksambledhësit kishin vetëm pak vite në dispozicion për mbledhjen e taksave, nuk kishin interes personal për mbijetesën afatgjatë të fshatarëve të zonës nën kompetencën e tyre, duke shfrytëzuar taksapaguesit në nivelin maksimal.
Taksat doganore, që përbënin pjesën më të konsiderueshme të të ardhurave të Perandorisë, ishin zakonisht të dhëna me konçesion. Taksambledhësit rekrutonin ushtarë për të “ndihmuar” mbledhjen e taksave dhe për të parandaluar kontrabandën. Natyrisht, qeveria mendonte se sipërmarrja private do të jepte rezultate më të mira.