Me rastin e 75-vjetorit të rënies së "Heroit të Popullit", Dino Kalenja klubi i shkrimtarëve dhe artistëve në Durrës zhvilloi një aktvitet përkujtimor për nder të tij. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë shkrimtarë e artistë, veteranë të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, studiues si dhe familjarë të heroit të popullit, Dino Kalenja. 

Shkrimtari Pandeli Koçi duke folur për dimensionin tjetër të heroit të popullit është shprehur se ne ndihemi të befasuar që zbulojmë te ky dëshmor dhe hero dimensionin e poezisë, një poezi e bukur dhe e shprehur me ndjenjë të lartë.

Studiuesi Fatmir Minguli është shprehur se Dino Kalenja me vëllimin e tij poetik është i ndikuar nga autorë italianë të kohës si dhe nga poezia popullore shqiptare dhe sidomos nga ajo bektashiane e trashëguar që nga fëmijëria e tij.

Dino Kalenja ka lindur në 4 nëntor 1919 në Kalenjë të Mallakastrës dhe pas shkollës fillore  në Ballsh dhe Liceut në Korçë, vazhdoi  studimet e larta në Itali.

Pas kthimit në atdhe u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare fillimisht në njësitin gueril të Tiranës, në çetën e Pezës dhe më pas u bë komisar i batalionit partizan Ismail Klosi në Mallakastës. Më 29 mars 1944 bie dëshmor i atdheut dhe mban titullin "Hero i Popullit".