Në ambientet e Amfiteatrit Antik, mbrëmjen e 7 gushtit ka ulur siparin festivali i netëve klasike në Durrës.

Nata e fundit e Bienales, e cila këtë edicion erdhi si një harmoni mes muzikës dhe verës, është titulluar "Nata e Yjëzuar", frymëzuar kështu nga piktura me të njëjtin titull e artistit Van Gog. 

Nën interpretimin plot mjeshtëri të violinistit të mirënjohur durrsak Florian Vlashi, familjes së tij dhe Orkestrës Rinore Durrës artdashësit shijuan tingujt magjikë të natyrës në të gjitha stinët e saj.

Natën e kaluar, interpretimi në një frymë të re, me solist e interpretues të tjerë, mahniti të pranishmit që e ndoqën atë nga arena dhe shkallaret e Amfiteatrit.

Sukses i merituar i kësaj bienale që zgjati për një javë, nga 1-7 gusht dhe solli në Durrës tingujt klasikë të kompozitorëve më të mëdhenj botërorë nën interpretimin e instrumentistëve të njohur vendas e të huaj si dhe të sopranos me famë botërore Inva Mula.