Nga Bujar Qesja*

Lajmi i ndarjes nga jeta, i artistit të çquar të humorit shkodran më ligështoi pa masë. Gëzim Kruja ishte dhe mbeti deri në fund, një aktor i preferuar edhe për artdashësit durrsakë. Nga viti 2000 e deri vonë, thuajse 20 vite, Gëzim Kruja ishte i ftuar i përhershëm i të gjithë veprimtarive që organizonte Shoqata Durrësi. Dhe gjithnjë vinte i përgatitur, me materiale të reja, për respektimin e jashtëzakonshëm që kishin durrsakët për të.

Humori i tij buronte nga shpirti dhe ishte për shpirtin. Jo vetëm gjatë çfaqjes, por edhe në darkat që organizonte Shoqata Durrës pas tyre, Gëzimi Kruja ishte gjithnjë pranë nesh dhe me një thjeshtësi të lindur, bënte humor pa u lodhur dhe komunikonte me të gjithë si të njohur të hershëm.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939 dhe ndahet nga jeta me 5 prill 2020. Karierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore, nisën që në kohën kur kryente shërbimin ushtarak në vitin 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën Profesioniste të Shkodrës.

Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Është autor i 15 komedive, realizoi 11 recitate, botoi 2 libra me monologje gazmore. Interpretoi mbi një 1000 role në skeçe të ndryshme dhe ka 62 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit” të Shkodrës. Në 2005 i akordohet titulli “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Në këtë ditë të dhimbshme për humorin shqiptar, për artëdashësit dhe qytetarinë shkodrane, për miqtë dhe të afërmit dhe veçanërisht familjen e tij, shpreh ngushëllimet edhe një shok, edhe një mik, me të cilin të lidhi një miqësi e kahershme, por veçanërisht 20 vitet e fundit.

Dheu i lehtë, artisti i papërsëritshëm Gëzim Kruja!

Me shumë dhimbje!

*Mjeshtër i Madh