Ndeshja kundër Atletikos së Madridit sonte në mbrëmje pritet të jetë e fundit për teknikun e Barcelonës, Ronald Kuman. Mediat spanjolle janë të qarta se presidenti Laporta e ka marrë vendimin e tij. Tani ajo që mbetet është vetëm zyrtarizimi i shkarkimit të holandezit. Interesant është fakti se Kumani nuk do të jetë as në stol përballë Atletikos së Madridit në atë që do të jetë ndeshja e fundit si trajner i Barçës. Kjo pasi ai është i pezulluar dhe Barcelona.
Megjithatë, tekniku holandez ka bërë detyrën e tij duke u shfaqur para gazetarëve në konferencën për shtyp para Atletikos. Dhe ai ka nisur me një “show” duke përsëritur fjalët e ish-trajnerit tjetër holandez të Barcelonës vite më parë, Luis Van Gal. “Përshëndetje të gjithëve miqtë e mi të medias.
Po largohem”, ka thënë ai. Një batutë që është pritur me humor në sallë, por më pas gjatë konferencës ai ka qenë shumë serioz, ku është vënë re edhe lodhja e zhgënjimi për shumë ditë e net nën trysni të jashtëzakonshme. Praktikisht, ai ka folur si një trajner i larguar duke lënë të kuptohet se një ditë do të rrëfejë gjithçka për prapaskenat që çuan në largimin e tij.
RAPORTI ME PRESIDENTIN – “Unë kam sy e veshë dhe kam mësuar se presidenti ka qenë në stërvitjen e fundit të ekipit, por vetë nuk e kam parë. Mua nuk më kanë thënë ende asgjë. Kam dëgjuar të flitet shumë për mua, shumë lajme filtrojnë, por më vjen keq që klubi nuk më jep asnjë sqarim për çfarë po ndodh”, ka thënë Kumani.
MBROJTJA – “Të them të drejtën jam shumë i lodhur së mbrojturi punën time. Nuk ka sens të them se çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë, çfarë kam bërë mirë e çfarë keq. Çdokush mund ta analizojë vetë situatën në klub. Unë mendoj se në përgjithësi kemi bërë një punë të mirë. Nuk dua të flas më shumë tani, por do të vijë dita kur do të flas më gjatë”, ka thënë Kumani.
DEBATI RRETH LOJËS – “Për mua nuk duhet të kufizohemi te sistemi i lojës sepse luhet mbi bazën e lojtarëve në dispozicion. Detyra e trajnerit është ta bëjë formacionin më të mirë me lojtarët në dispozicion. Nëse Barcelona nuk do të kishte probleme financiare, Mesi do të ishte ende këtu”.
RESPEKTI I MUNGUAR – Trajneri Kuman ka qenë i drejtpërdrejtë kur është pyetur nëse ndihet i zhgënjyer me sjelljen e klubit ndaj tij, për mungesën e treguar në respekt të punës së bërë. “Nuk ka nevojë të përgjigjem. Çfarë mendon ti?”, i është përgjigjur Kumani pyetjes së gazetarit.
MOMENTI MË I MIRË DHE MË I KEQ – “Duhet të përgjigjem për këtë pyetje? Nëse do t’iu jepja përgjigje për pyetjen kush kanë qenë momentet më të mira e më të këqija do të thotë se e pranoj që jam larguar nga drejtimi i ekipit. Po them se momenti më i bukur është firma me Barcelonën. Momenti më i keq është largimi i Leo Mesit”, ka mbyllur Kumani





