19 maj 2015 – Janë thelluar edhe më shumë dyshimet lidhur me aksionin policor në Kumanovë kur më 9 maj gjatë përleshjes së armatosur kanë punuar pandërprerë telefonat celularë, informon agjencia e lajmeve Zhurnal.
Portali maqedonas shkruan se dyshimi lind pikërisht te çështja se si është e mundur që gjatë një aksioni kaq të rrezikshëm, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të mos vendosë bllokator të valëve telefonike me qëllim që të shmangë komunikimin për ndonjë keqpërdorim të mundshëm.
Burime për ‘Zhurnal’ thonë se policia me qëllim nuk ka shfrytëzuar bllokatorin e valëve, për të pasur kontakte të vazhdueshme me grupin e armatosur.
Gjatë gjithë ditës së përleshjeve, qytetarët në lagjen e Trimave kanë mundur të komunikojnë përmes telefonave celularë. Ndryshe, gjatë kohës së protestave të opozitës para qeverisë në Shkup u bllokuan të gjitha lidhjet telefonike dhe të internetit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/