Në 11 muajt e parë të këtij viti Shqipëria ka regjistruar mbi 11 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje me 16% më shumë, në krahasim me vitin e kaluar.
Një gjë e tillë u deklarua nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro gjatë Konferencës së Turizmit të Qëndrueshëm të mbajtur në Tiranë.
“Koincidencë e bukur kjo 11 me 11. Është e rëndësishme të theksojmë se këto janë rritje që po bëhen të qëndrueshme. Nuk na duhet të kemi miliona e miliona më shumë dhe të krenohemi se mbërritëm dhjetëra milionë. Na duhen ata milionë të cilët rrinë më gjatë, të cilët paguajnë më shumë, konsumojnë më shumë, shijojnë më shumë dhe vijnë gjatë gjithë vitit”, – tha Kumbaro.
Shqipëria është tashmë vendi më i ri anëtar i Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC).
“Meqë flasim për standarde dhe formalizim, pata kënaqësinë të nënshkruaj dje certifikatën e 2000-të brenda një periudhe pak vjeçare të kategorizimit të hoteleve të cilat gjithmonë e më shumë e kuptojnë që iu intereson të formalizohen sepse dhe përfitimet i kanë më të mëdha”, – tha Kumbaro.
Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë të dytën në botë pas Katarit për periudhën Janar-Korrik, për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e para pandemisë.