·        Ministrja e Kulturës, përkthyese e njohur, me sa duket, ka pasur dhe ka marrëdhënie të mira me disa nga ish-funksionarë “blu”të kulturës, por edhe me krerë vendorë “vjollcë” të Durrësit

DURRËS, 25 qershor 2014 –  Durrësi për shume vite është zhvilluar pa strategji urbanistike të integruar me pjesën tjetër të vendit, por për rastin tek ish- lulishtja “ 1 Maj”, por edhe të ruhemi “nga manipulimi i opinionit publik me gjysma faktesh”, deklarata kundërthënëse vjen nga ministrja e Kulturës, znj. Mirelë Kumbaro.

Në një intervistë dhënë drejtorit të periodikut Java të Tiranës, ministrja e Kulturës znj. Mirelë Kumbaro, në përgjigje të një pyetjeje të drejtorit z. Skënder Minxhozi mbi debatin për gërmimet në ish-lulishten 1 maji në Durrës, u përgjigj se “ka dy anë ky debat. Njëra është keqmenaxhim, abuzim, i territorit dhe i peizazhit jo vetëm kulturor, por edhe ekologjik dhe natyror”

Sipas znj. Kumbaro, “kjo ka ardhur ca nga padija, ca nga mungesa e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë por edhe nga etja e shfrenuar për fitime të padrejta e të egra”.

Gjithsesi kreu i dikasteri të Kulturës mban një qëndrim kundërthënës.

Znj. Kumbaro edhe thotë se “një qytet si Durrësi që për shume vite është zhvilluar pa strategji urbanistike të integruar me pjesën tjetër të vendit, kërkon një qasje të veçantë për të kombinuar nevojat për zhvillim me ruajtjen e trashëgimisë. Kjo kërkon dije, largpamësi dhe ndërgjegje profesionale, por edhe burime financiare te fuqishme”.

Por shton se “nga ana tjetër duhet të ruhemi edhe nga manipulimi i opinionit publik me gjysma faktesh e populizëm mediatik”.

Nisur nga ky konstatim i dytë, përkthyesja e njohur, me sa duket, ka pasur marrëdhënie të mira me disa nga ish-funksionarë të kulturës “blu” (ish-Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj; ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” akademik Prof. Dr. Apollon Baçe; ish-drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik Roland Olli), por edhe me krerë vendorë “vjollcë” të Durrësit.

Znj. Kumbaro thotë se “kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës po i sheh me shumë kujdes e përgjegjësi dosjet e kaluara për të nxjerrë mësime aty ku janë bërë gabime apo ndjekur praktika të gabuara ose për të ndryshuar aty ku është e mundur, siç ishte rasti i kalasë së Lezhës, për të shpëtuar vlerat që mund të shpëtohen, dhe sidomos për të futur në mbrojtje pasurinë kulturore, jo si një mall të vdekur në magazinë, por edhe si një burim zhvillimi”.

Nga ky citim del në pah se qeveritarët e sotëm të kulturës do të vazhdojnë të njëjtin avaz.

Sikurse ka shkruar “Dyrrah”-u lidhur me pallatin te ish-lulishte “1 Maj”, që ka zhdukur një “Pompe” antik në Durrës, u zbulua se është fshirë versioni on-line i Raport Vjetor 2010 nga sajti i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, por edhe nga arkivi i Google-it, ku janë botuar fotot dhe përshkrimi për gjetjet e bujshme arkeologjike.

Por lihet VKM-ja e 23 marsit 211, ku jepet OK për ndërtimet: “Në zonën arkeologjike “B” të qytetit të Durrësit përveç ndërhyrjeve që lejohen në zonën arkeologjike “A”, lejohen edhe: 1. Ndërtimet e reja pas miratimit me shkrim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë të kërkesave të subjekteve të interesuara”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/