Marash Kumbulla mund të largohet nga kryeqyteti italian në dritaren e transferimit të janarit, pasi Roma po përpiqet t’i gjejë atij një klub të ri për t’u bashkuar për pjesën e mbetur të sezonit.

Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare sapo ka hedhur pas krahve një dëmtim të rëndë, që e pësoi në mars të vitit të kaluar. Megjithatë ai ende nuk ka luajtur asnjë minutë deri më tani.

Pavarësisht ndryshimeve në pankinë, Roma, nuk ka gjasa t’i japë atij minuta, pasi ata do të vazhdojnë të luajnë me 4 lojtarë në repartin difensiv edhe nën drejtimin e trajnerit të ri Daniele De Rossi.

Për rrjedhojë, Roma po përpiqet të bindë Marash Kumbullën që ta huazojë deri në fund të këtij sezoni.

Sipas La Gazzetta dello Sport, mbrojtësi i Shqipërisë, ka tërhequr interes nga Anglia, por edhe nga Seria A me ekipe si Torino dhe Genoa që bëjnë pyetje për të.

Menaxheri i përgjithshëm i Romës, Tiago Pinto aktualisht është në Milano me objektivin për të arritur një marrëveshje për largimin e përkohshëm të Kumbullës.

Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojnë ditët e fundit të merkatos, por e sigurt është se edhe Kumbulla kërkon një klub ku mund të luajë, pasi dëshiron të jetë në formë maksimale përpara Kampionatit Europian, për të bindur trajnerin Sylvinho ta grumbullojë.