Nga DurrësLajm
“Veliera” i lodhi qytetarët, e “kumbullat e shoqërisë civile” mbajnë peng prej 20 muajsh projektin. Nuk ka një tjetër projekt publik që t’i ketë lodhur më shumë qytetarët e Durrësit sesa “Veliera”.
Projekti i cili gjendet në zemër të qytetit të Durrësit, jo vetëm që është kthyer në debat politik, e në çështje gjyqësore, por më së shumti gjendja në të cilën ka mbetur është thyer në shëmti për sytë e të gjithë qytetarëve, që jetojmë çdo ditë të jetës në qytetin e Durrësit, e për çdo ditë duhet të shohin pamjen e shëmtuar që ka mbetur.
Fëmijët që shkojnë çdo ditë në këtë zonë në shkollë e kthehen, apo edhe studentët e universitetit, qindra apo mijëra turistë që kaluan aty, iu ka mbetur në mendje pamja e shëmtuar e një ndërtimi të mbetur përgjysmë.
Sytë u janë lodhur aq shumë qytetarëve e me këtë pamje, saqë çdo kush që kalon, pyet se kur do të mbarojë kjo që nisi. Sheshi u projektua keq që në krye të herës, sepse në këtë shesh në pjesën e sipërme të tij të dy rrugët dytësore lidhëse, nga Torra Veneciane dhe Kompleksi FLY, janë mjaft të ngushta e nuk mund të qarkollojnë makinat e vogla, sespe për autobusët nuk bëhet fjalë, ndërsa në këtë situatë këmbësorët nuk kanë nga të lëvizin fare. Për kontestime ka vend në çdo kohë, por kontestimi që i bënë e ashtuquajtura shoqëri civile nuk pati asnjë vlerë.
Për të gjithë qytetarët është krijuar bindja se projekti nuk ka më asnjë shans të kthehet mbrapsht apo të zhbëhet e të kthehet siç ka qenë më parë e gjithë zona.
Disa përfaqësues të shoqërisë civile të ardhur nga Tirana protestuan në fillim e iu drejtuan gjykatës duke kërtuar zhbërje e anulim toatal të projektit, por gjykatat deri tani nuk kanë folur në favor të shoqërisë civile.
Madje shoqëria civile nuk është bërë e “gjallë” prej kohësh, ndërsa pasojat e kësaj gjelle të gatur keq prej tyre i vuajnë durrsakët që kanë gati dy vjet me një gjysmë sheshi të lënë në zemër të qytetit. “E keqja” po vuhet nga shoferët e nga qytetarët. Gjykata e Durrësit e tha fjalën e saj të fundit duke i vënë “kapakun” atyre zërave që pretendonin se kreun e Bashkisë së Durrësit do e shikonin në bankën e të akuzuarve për punimet e projektit “Veliera”. Kjo Gjykatë e pushoi çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Durrës, Vangjush Dako , i paditur nga shoqëria civile mbi 18 muaj më parë për shpërdorim detyre .
Prokurori Edmond Kaloshi, pak ditë më parë kërkoi mbylljen e hetimeve, pasi në dosjen “Veliera” nuk ka konstatuar shkelje penale. Sipas organit të akuzës, kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako nuk ka shpërdoruar detyrën në zbatimin e projektit ashtu sikurse pretendonte shoqëria civile duke iu drejtuar gjykatës për pushim të hetimit. Mbyllja e hetimeve solli në vëmendje shoqërinë civile e cila nuk është pajtuar me vendimin gjyqësor. Sazan Guri deklaroi para mediave se do vijojë betejat në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sazani vjen në Durrës “këput ca kumbulla” dhe ikën, ndërsa pasojat i vuan qyteti dhe qytetarët.
Ndërkaq vijueshmëria mbi zbatimin e projektit “Veliera” vijon të mbetet pezull në pritje të vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.
Bashkia ka fituar një betejë qe e ka humbur shoqëria civile. Qytetarët dhe biznesi durrsak janë të humbur që prej kohës kur projekti ka mbetur pezull. Të gjithë kërkojnë pa mëdyshje mbylljen e projektit, ndërtimin e kalimeve për këmbësorët, lirimin e qarkullimit të mjeteve e të makinave.