Marash Kumbulla ka qenë autor i një sezoni të shkëlqyer deri në këto momente. Mbrojtësi shqiptar i cili aktivizohet me Veronën, falë paraqitjeve të tij ka marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha në Itali si Juventus, Inter apo edhe Napoli.
19-vjeçari, edhe pse në sezonin e parë si debutues në Serinë A ka shfaqur personalitet duke qenë një titullar i padiskutueshëm për veronezët. Sakaq, pas interesimit nga ekipet italiane, për Kumbullën ka dalë edhe zërat për një interesim të mundshëm nga gjigandët e Mançester Junajtid.
Gjithçka ka lindur nga një miqësore verore e Veronës, e cila luante përballë Hofenhajm. Në atë takim kishte pasur edhe disa zyrtarë të Junajtid, të cilët ishin në stadium për të ndjekur disa futbollistë, por vëmendje ka tërhequr Kumbulla. Në këtë formë, mbrojtësi është ven nën vëzhgim dhe pas paraqitjeve të deritanishme, interesi është shtuar edhe më shumë.





