TIRANE, 11 maj 2013– Zgjedhjet e 23 qershorit, që tani kanë një standard të cënuar nëse Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, do të funksionoj me 4 anëtarë. Këtë qendrim ndan eksperti i zgjedhjeve Kristaq Kume, i cili thotë se ky institucion nuk do të mund as të mblidhet dot për raste kur kërkohet vendimarrja me pesë vota. Ai bën thirrje që politika ta zgjidh këtë ngërç.
"Është një situatë jo normale, se si po zhvillohet procesi. Kodi zgjedhor e ka të përcaktuar mirë që në krye të administratës zgjedhore është KQZ, i përbërë nga 7 anëtarë. Do të ndodhemi shumë shpejt përpara situatave të cilat do të kërkojnë sforcime për t'u kapërcyer. KQZ-së do t'i duhet që të trajtojë çështje dhe të marrë vendime për të cilat do të duhen jo më pak se 5 anëtarë. Në të tilla raste nuk është e vlefshme, nuk mund të hapet, të fillojë mbledhja e jo më pastaj të thuhet që nuk merret dot vendimi. E gjithë kjo parathotë vlerësime jo si ato që ne dëshirojmë të gjithë, pra ecurinë dhe plotësimin e standardeve në këtë proces zgjedhor",-tha Kume.
Kjo duhet të zgjidhet, sipas Kumes, edhe për fatkin se tashmë ky proces është konsideruar një test për të ardhmen europiane të Shqipërisë, dhe kur ka një prezencë të shtuar të ndërkombëtarëve në monitorimin e zgjedhjeve. Në këtë linjë ai shpjegon edhe faktin që në krye të misionit të ODIHR ashtu si në 2009 është sërish një amerikane.
"Këtë ne duhet ta lexojmë edhe si një interes të shtuar të SHBA-së për të qenë prezent sa më shumë në këtë proces zgjedhor, për të gjykuar më pas se si do të realizohet ai, çfarë do të prodhojë, a do të plotësojë standardet për zgjedhje të lira, demokratike dhe në përputhje me atë që kërkon trashëgimia europiane e zgjedhjeve",-theksoi ai.
Më 13 maj, mbërrin në Tiranë misioni afatgjatë i vëzhguesve të OSBE-ODIHR. Misioni i ODIHR do të drejtohet nga amerikania Conny McCormack, kurse ekipi i asamblesë parlamentare të OSBE?së do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën Juglindore, deputeti slloven, Roberto Battelli.





