Nga Arnold Grabocka
E drejta e votës është e vetmja armë e qytetarit të ndershëm për të ndëshkuar makinerinë politike, ose për ta përforcuar atë. Me makineri politike, nënkuptohet gjithë sistemi politik duke përfshirë qeverinë, opozitën, partitë e vogla a të mëdha. Më tej, kuptimi i makinerisë politike shtrihet tek faktorët që mund të ndikojnë, në parim, në politikëbërje. Këto mund të jenë sindikatat, organizatat jo-fitimprurëse, biznesi i vogël e i mesëm, e kështu me radhë. Pjesëmarrja e qytetarëve në ditën e votimit tregon edhe forcën e gjithë makinerisë politike. Pra, një makineri politike e cila votohet prej më shumë se 50% e popullsisë (qoftë për njërën parti a për tjetrën) merr legjitimitet të plotë për të vazhduar të lëvizë ingranazhet e saj, duke krijuar gjithë sferën politike e ekonomike. Në të kundërt, një makineri politike e cila votohet prej më pak se 50 për qind e popullsisë, nuk ka asnjë lloj legjitimiteti, nuk përfaqëson as një shumicë minimale të qytetarëve të një vendi. Duke humbur legjitimitetin, ajo kthehet më së paku në një regjim oligarkik, e më së shumti në një teknokraci të votuar e qeverisur vetëm prej një administrate publike të tej-fryrë.
Në kushtet aktuale, gjithë makineria politike shqiptare është shtypëse dhe e dehumanizuar. Duhet ta konceptojmë këtë makineri si të përbërë prej input-esh energjie (pra si çdo makineri, e cila kërkon input energjinë- qoftë ajo elektrike a jo), dhe output-esh prodhimi (produkti në të cilin makineria e shndërron energjinë). Energjia që futet tek makineria politike shqiptare (vota popullore) nuk sjell më produktet e dëshiruara, pra mirëqenien sociale, pakësimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, shporta më të pasura për qytetarët apo edukim që nxjerr profesionistë prodhimi e jo profesionistë krimi. Ky defekt i cili bën që energjia popullore të mos kthehet në produktet e pritura, e ka gjenezën tek vetë makineria politike. Kjo, e ndërtuar pas rënies së regjimit hoxhaist mbi themelet institucionale të vetë regjimit hoxhaist, që në lindje ishte defektoze. Amortizimi i saj ndër vite, vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.
Por pse është defektoze makineria politike shqiptare? Ku dallohet kjo? Pikësëpari, tek spektri politik. Oferta politike në Shqipëri nuk është e shumëllojshme. Nëse merremi vetëm me dy partitë më të mëdha, praktikisht qytetari nuk ka zgjedhje tjetër në ushtrimin e të drejtës së votës, përveç votimit të një partie ideologjikisht fashiste (partia që është në pushtet), dhe një partie të djathtë të qendrës (partia që është në opozitë). Partitë e vogla ose s’kanë kurrfarë program ideo-politik, ose merren me fenomene të rrezikshme e shterpë si nacionalizmi i mitizuar. Pra për kë do të votojë qytetari, kur e vetmja alternativë është ose një parti pak e djathtë, ose një parti e djathtë, ose një parti shumë e djathtë?
Do të ankohet ndonjëri duke thënë se në fakt vizioni për sistemin e taksimit i dallon partitë nga njëra-tjetra. Në fund të fundit, taksa progresive është e majtë, ndërsa taksa e sheshtë e djathtë, apo jo? Do të ankohet ndokush tjetër duke shtuar se mbështetja ndaj bizneseve të mëdha apo ndaj universiteteve (publike-private) i dallon partitë tona më të mëdha. Pra si ka mundësi që të deklaroj se makineria politike prodhon vazhdimisht vetëm parti të djathta të qendrës ose të djathta të ekstremit? Së pari, vendos çfarë takse të duash, qoftë ajo progresive a e sheshtë, madje shpik edhe ndonjë taksë të re. Nëse sistemi i mbledhjes së taksave është i dobët, nëse sërish ka njerëz të cilët përfitojnë nga sistemi duke mos paguar taksa, atëherë të dyja njësoj janë. Për qytetarin ka rëndësi nëse njëra taksë e ndihmon në rritjen e të ardhurave, vetëm në momentin kur një taksë paraardhëse i ka hequr më shumë të ardhura. Pra nuk duhet të ketë debat nëse do vendosim taksën e sheshtë apo progresive. Debati i vërtetë është: në kushtet e cilësdo taksë, si do të vendosim drejtësi që të gjithë të paguajnë dhe askush të mos i shpëtojë dënimit nëse bën evazion fiskal? Sipas Gustave Le Bon makineria politike më shtypëse, është ajo që të takson pak në mënyrë direkte, dhe që të takson në mënyrë të jashtëzakonshme në mënyrë indirekte, pak nga pak, qoftë me akciza, qoftë me bakshishe, a me çfarëdo lloj akti tjetër. Makineria politike (pra gjithë partitë dhe më gjerë) nuk duhet të debatojë se pse një taksë është më e mirë se tjetra, por për mënyrën se si do të mbrohet taksimi. Duke luajtur këtë lojë të njëra-tjetrës me sinkronizim debatesh, makineria politike në Shqipëri nuk po i bën asnjë të mirë publikut. Ka shumë pak aktivistë të majtë, ka shumë pak njerëz që ende frymëzohen prej virtytit të majtë dhe vlerave që ajo përçon. Marrëdhëniet klienteliste vetëm sa po shtohen.
Sigurisht, nevojitet patjetër rotacioni politik. Nuk dua të spekuloj mes ideologjizmash partiakë gjithsesi. Nëse kryhet rotacioni politik, mund të ketë edhe përmirësime të situatës ekonomike dhe shoqërore të çdo shqiptari, kjo është për t’u parë e shpresuar. Ka edhe gjasa që të ndodhi. Megjithatë, makineria politike në tërësi do të jetë e kalbur. Sikundër eksperienca në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit ka treguar, rrëzimi i një diktatori jo domosdoshmërisht nënkupton rrëzimin e sistemit të gabuar të vlerave që ai ka injektuar në gjithë makinerinë politike dhe sociale.
Por cila është zgjidhja për të ndaluar njëherë e përgjithmonë makinerinë tonë defektoze politike, dhe për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri e më të mirë vlerash? Si për çdo makineri, zgjidhja në teori është e thjeshtë: heqja e prizës e cila e furnizon me energji makinerinë. Nëse ajo s’ka energji për të transformuar në produktet e saj (të mbrapshta), do të harxhojë për një kohë shumë të shkurtër gjithë rezervat që i kanë ngelur dhe do të shuhet. Do të na japë mundësinë të rindërtojmë diçka të re. Në rastin konkret, meqenëse energjia që furnizon makinerinë politike është vota popullore, mjafton mosvotimi masiv për ta shuar atë. Cilido qytetar nuk zotëron vetëm të drejtën e votës, por edhe të drejtën e ndëshkimit nëpërmjet mosvotimit, sepse kur diçka është e mbrapshtë, pse ta furnizosh? Minimumi i energjisë që i duhet makinerisë politike për të qenë aktive, është pjesëmarrja e më shumë se 50% të qytetarëve. Nëse më pak se gjysma e popullatës së një vendi voton (s’ka rëndësi se për cilën palë), atëherë makineria politike vdes dhe rikompozohet, shndërrohet në atë çka shumica e një populli kërkon. Një grup njerëzish mund të qëndrojnë në qeveri edhe pse s’kanë marrë shumicën e votave, nëpërmjet proceseve të tyre të padrejta, por makineria politike funksionon ndryshe; është e pamanipulueshme, dhe ka të bëjë në mënyrë direkte me frymën e shtetit. Pikërisht në mënyrën më paqësore, pa zjarr e pa pushkë, pa përgjakje revolucioni e pa sherre, vetëm nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së mosvotimit si ndëshkim, si protestë, si alarm, mund të ketë ndryshim. Idealiste, perverse, e papranueshme mund të duket si strategji, por çfarë nuk duket e tillë në këto kohë?
http://perverspamoral.blogspot.com/2013/03/kunder-makinerise.html





