Udhëheqësit e vendeve arabe u takuan në Arabinë Saudite për të hartuar një plan për rimëkëmbjen e Gazës.

Ky samit synon të kundërshtojë propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur dy milionë banorë palestineze në Egjipt dhe Jordani dhe për ta kthyer Gazën në një “rivierë” të Lindjes së Mesme nën kontrollin e SHBA.

Umer Karim, një ekspert i politikës së jashtme saudite, e quajti samitin “më të rëndësishëm” në dekada për botën më të gjerë arabe dhe çështjen palestineze.

Trump propozoi që Shtetet e Bashkuara “të marrin përsipër rindertimin e Rripit të Gazës” dhe të zhvendosin 2.4 milionë banorët e saj në Egjiptin dhe Jordaninë fqinje .

“SHBA do të marrë në kontroll Rripin e Gazës dhe ne do të bëjmë një punë shumë të mirë atje,” u tha Trump gazetarëve.

“Ne do ta drejtojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në vend”, është shprehur Trump lidhur më rindërtimin e Gazës.

Ndërkoh, një burim i afërt me qeverinë saudite i tha AFP-së se udhëheqësit arabë do të diskutojnë “një plan rindërtimi për të kundërshtuar planin e Trump për Gazën”.

Rripi i Gazës është kryesisht rrënuar pas më shumë se një viti lufte midis Izraelit dhe Hamasit, me Kombet e Bashkuara që së fundmi vlerësuan se rindërtimi do të kushtonte më shumë se 53 miliardë dollarë.

Gjatë takimit me Trump në Uashington më 11 shkurt, mbreti i Jordanisë Abdullah II tha se Egjipti do të paraqiste një plan për një rrugë përpara.

Burimi saudit tha se bisedimet do të diskutonin “një version të planit egjiptian”.

Agjencia zyrtare e shtypit saudite, duke cituar një zyrtar, konfirmoi të enjten se Egjipti dhe Jordania do merrnin pjesë në samitin e Riadit së bashku me gjashtë vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Ai tha gjithashtu se vendimet e nxjerra nga “takimi jozyrtar vëllazëror” do të shfaqen në axhendën e një samiti urgjent të Ligës Arabe që do të mbahet në Egjipt më 4 mars.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi mbërriti në Arabinë Saudite të enjten, tha zyra e tij. Më parë, një burim saudit i tha AFP se Autoriteti Palestinez do të merrte gjithashtu pjesë në bisedime.

Tre faza

Rindërtimi i Gazës do të jetë një çështje kyçe, pasi Trump përmendi rindërtimin si justifikim për zhvendosjen e popullsisë së saj.

Kajro ende nuk e ka shpallur iniciativën e tij, por ish-diplomati egjiptian Mohamed Hegazy përshkroi një plan “në tre faza teknike për një periudhë prej tre deri në pesë vjet”.

Faza e parë, që zgjat gjashtë muaj, do të fokusohet në rimëkëmbjen e dhe heqjen e mbeturinave, tha ai.

E dyta, një konferencë ndërkombëtare për të dhënë detaje të rindërtimit dhe fokus në rindërtimin e infrastrukturës së shërbimeve.

Dhe e fundit, tha Hegazy, do të përfshinte planifikimin urban, rindërtimin e banesave, ofrimin e shërbimeve dhe ngritjen e një “rruge politike për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”.

Plani synon gjithashtu të adresojë çështjen komplekse të mbikëqyrjes së pasluftës për Gazën – të cilën Hamasi e ka kontrolluar që nga viti 2007 – me “një administratë palestineze që nuk është e lidhur me asnjë fraksion”, tha Hegazy.