Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e Princ Dobroshi, i cili kundërshtoi vendimin e Apelit për ekstradimin e tij në Gjermani, pasi ishte shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike.

Apeli i Jurdiksionit të Përgjithshëm vendosi me 9 prill të këtij viti ekstradimin e tij, ku i dërgoi edhe ministrisë së Drejtësisë vendimin e zbardhur. Në këto kushte Dobroshi e dërgoi dosjen në Gjykatën e Lartë ku kërkoi prishjen e vendimit.

Gjykata e Hamburgut ka lëshuar urdhër-arrest për 59-vjecarin, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Trafikimi të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal.

Me 29 mars të këtij viti shtetasi kosovar, i njohur dhe me nofkën “Peshkaqeni” ra në rrjetën e SPAK ku iu sekuestruan 10 llogari bankare me vlerë 133 mijë euro, Vilë në Gjirin e Lalzit, dy apartamente te Kodra e Diellit, një apartament te Liqeni i Thatë, makinë Volvo, dhe shoqërinë tregtare ‘SLAI’.

Këto asete i kishte në bashkëpunim me kunatin e tij Olsi Syziu. Princ Dobroshi dhe kunati i tij dyshohet se gjatë vitit 2020, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme kokaine, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Princ Dobroshi rezulton i dënuar në vitin 1993 në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.