Prej muajsh, Policia Bashkiake e Durrësit është treguar aktive si asnjëherë tjetër për t’u rikthyer hapësirat publike qytetarëve.
Aksionet e ndërmarra në zona mjaft problematike si ajo përreth tregut të fruta-perimeve, në rrugët kryesore dhe shëtitoren “Taulantia” kanë bërë që si rrallë herë qytetarët e Durrësit të lëvizin lirshëm në rrugët që më parë ‘pushtoheshin’ nga shitësit ambulantë apo tavolinat e karriket e lokaleve.
Por një ditë më parë, ndërhyrja e efektivëve të Policisë Bashkiake në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar është shoqëruar me kundërshtinë e dy shtetasve.
Mësohet se shtetasit L.K., dhe L.G., 41 e 43 vjeç, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë Bashkiake.
Pas këtij veprimi, ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.





