Shkon në 9 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar/ proceduar penalisht, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale apo administrative.

Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Procedohet penalisht 35-vjeçari që ofroi para, për të mos u ndëshkuar administrativisht.

Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, drejtuesit të një automjeti që e konstatuan në aksin rrugor “Plepa-Romanat”, duke lëvizur kundërvajtje me automjet dhe duke përdorur celularin. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ai nuk ishte i pajisur me siguracion për automjetin.

Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit, për të shmangur masën administrative për këto shkelje, iu ka ofruar atyre, 2000 lekë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kryen veprimet administrative dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. P., 35 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.