Durrës 27 mars 2014 – Teuta i ka mundësitë për të kaluar në finale pasi edhe pse në ndeshjen e parë fituan kuksianët me rezultatin 3-2, këto shifra nuk japin ndonjë garanci për kualifikimin, kur dihet se kthimi do të konsumohet në “Niko Dovana”. Dy gola në fushë kundërshtare në kësi ballafaqimesh, shtuar këtu edhe goditjen shtyllave dy herë, do të thonë shumë për potencialin e Teutës. Në ndeshjen e kthimit, Kukësi do të ketë në dispozicion si fitoren, ashtu edhe barazimin për të kaluar në finale. Por Teutës nga ana tjetër, i mjafton edhe suksesi minimal 1-0 në fushën e vet për të siguruar finalen, gjë që garanton një ndeshje me shumë emocione në “Niko Dovana”. Ilir Biturku, trajneri i Teutës, u shpreh se ishte një 90- minutësh i luftuar ai me Kukësin dhe në ndeshjen e kthimit i sheh të tijtë favoritë.
“Unë mendoj që ka qenë një ndeshje e bukur dhe e luftuar nga të dy krahët, ku kemi pasur sulme dhe kundërsulme, si dhe një mori rastesh. Ndeshja ia arriti qëllimit, por si rezultat ne pretendonim të merrnim më shumë. Gjithsesi, ajo çka mund të them është se ne jemi më të favorizuar me këtë rezultat të marrë në Kukës, për efekt të golave në fushën kundërshtare, që na jep avantazh. Për ndeshjen e kthimit që do ta luajmë në “Niko Dovana” mendoj se do të ketë mjaft interes, pasi luajnë dy skuadra që i japin ngjyrë edhe Kategorisë Superiore. Të dyja ekipet kanë lojtarë cilësorë dhe parashikoj që edhe ndeshja e kthimit do të jetë mjaft e fortë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





