Nga Gladiola Busulla Jorgollari
Durrës, 9 korrik 2014 – Këto netë botërori brasileiro kanë mbërthyer pas ekranit të televizorit të gjithë botën. Fanella e kombëtares së preferuar ndez emocione, solidarizon dhe është gjithnjë motiv krenarie, ndonëse ne shqiptarët, historikisht jemi krenuar me fanellat e huaja; edhe kur ato hijeshojnë trupat e djemve tanë.
Pas qindra debateve, kundërshtive, basteve të humbura e të fituara, parashikimeve të sakta e të gabuara, më në fund kemi mbërritur në pikën më të nxehtë të Botërorit.
Ai është shndërruar në një lloj opiumi me efekt bashkues, sepse mbrëmjet kalohen në shoqëri ; në rast fitoresh, të gjithë përqafohen e në rast humbjesh turfullojnë së bashku.
Gjithnjë e më shumë protagoniste tifozerie po bëhen dhe femrat, madje edhe ato që nga futbolli kuptojnë vetëm shprehjet: gol i paparë apo penallti, sepse shumë syresh të tjera janë eksperte jo vetëm në teori dhe e praktikojnë këtë sport.
Kurse ata më nostalgjikët kujtojnë futbollistët që s'luajnë më dhe iu referohen atyre, sepse në fund të fundit, përmes golave të dikurshëm kanë memorizuar çaste të paharrueshme.
E kur është fjala për futbollin, i cili këtë muaj, është bërë më shumë se kurrë tema e ditës, të gjithë kanë diçka për të thënë. Pse jo, dikush shprehet edhe se futbollistët i shëmbëllejnë si të marrë a të çmendur që rendin pas një topi të vetëm…duke harruar se ai top dhuron një ëndërr.
Ndeshja midis Gjermanisë dhe Brazilit ishte shembulli i qartë i dominimit total të fushës kundërshtare. Si mund ta quash disfatën e Brazilit; apokalips apo poshtërim në tokën e vet, në fushën e tij, në kampionatin e tij? Gjermanët të veshur kuqezi (ja pra që sjellin fat, këto dy ngjyra me të cilat simbolizohemi) shëmbëllenin si kërcimtarë flamengoje në një spektakël të jashtëzakonshëm. Gjermania që duan shumë tifozë i përkiste legjendarëve të dikurshëm si Beckenbauer, Klinsman, Brehme, Sammer, Ballack, Bierhoff, portierit Kahn e shumë emrave të tjerë që mund të renditen radhazi. Me ta ndienin sigurinë e fitores; të njëjtën siguri që Klose, Mueller, Kroos, Khedira e Schurrle transmetuan në ndeshjen kundër Brazilit.
Gjermania e Joachim Low-t ka hyrë tashmë në historinë e futbollit, madje pa qenë nevoja të fitojë as kampionatin. Nuk e dimë ende, nëse do të përballet me argjentinasit amerikanojugorë apo me tulipanët evropianë. Nuk e dimë nëse do ta prekë vërtet kupën e botës apo vetëm sa do t'i shkojë asaj shumë pranë. Nuk e dimë deri në ç'shkallë mund të jetë determinues dhe influent kontinenti në të cilin zhvillohet kampionati.
Gjithsesi skuadra gjermane na fali shumë emocione, rivendikoi epërsinë e kontinentit të vjetër në futboll, dhe pse jo…shpresën e madhe se kupa e Botës mund të mbetet sërish në Evropë. Tani, Gjermaninë e pret një tjetër sfidë e rëndësishme. Por në fund të fundit, gjermane apo hollandeze mjafton që fitorja të jetë evropiane, së cilës ne shqiptarë, këto ditë i jemi bashkuar më shumë se kurrë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





