Tuluz ka fituar Kupën e Francës duke mundur Nantën në finale me rezultatin e thellë 1-5. Ky ishte trofeu i parë i madh në histori për këtë klub dhe automatikisht i siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
Por, pjesëmarrja në Europë është një pikëpyetje e madhe për klubin francez. Presidenca e klubit është kompania e madhe “RedBird Capital” që njëkohësisht është aksionere madhore në klubin e Milanit. Kjo ka bërë që të ketë probleme me licencimin për në Europë, duke qenë se rregullorja e ndalon që të shkojnë në Europë 2 klube me të njëjtin pronar.
Në këtë mënyrë, duke qenë se në renditjen e UEFA-s, Seria A është më lart se Liga franceze, Milani është skuadra që favorizohet për të qenë në Europë nëse arrin të kualifikohet ndërkohë që Tuluz rrezikon seriozisht. Diçka e tillë, nuk do ta penalizonte nëse Tuluz shkonte në Ligën e Konferencës pasi nivelet janë larg.
Por, ekziston edhe një tjetër mundësi. Klubi francez mund të bëjë ndryshime administrative dhe kjo do t’i lejonte pjesëmarrjen. Në të shkuarën, një rast precedent ishte ai i Lajcig me Red Bull Salcburg por dy klubet bënë ndryshime në drejtimin e klubit dhe morën pjesë madje duke u përballur me njëra-tjetrën.





