DURRES– Kupa e Shqipërisë është kthyer në një problem për durrsakët të cilët humbasin ndeshjen e katërt rresht në kuadër të këtij kompeticioni. Teuta është mundur në shtëpinë e saj në stadiumin “Niko Dovana” me rezultatin 2 me 3 nga Bylisi, i cili me këtë fitore fluturon në krye të grupit me 12 pikë dhe e shikon veten në fazën tjetër.

Ndonëse ky trofe kishte dalë prej kohësh nga objektivat e skuadrës së drejtuar nga tekniku Gugash Magani, për këtë të fundit ka vlejtur së tepërmi, pasi mundi të testojë skuadrën e tij për ndeshjen e radhës atë ndaj Shkmbinit të Peqinit në fundjavë, e vlefshme për javën e parë të fazës së dytë të kampionatit.

Ndërkohë durrsakët vuajnë, duke regjistruar humbjen e katërt dhe mbajnë vendin e fundit në grup me 0 pikë. Gjatë kësaj përballje skuadrat u futën në fushë shumë të frikësuara, ndaj dhe pothuajse përgjatë gjithë pjesës së parë përveç golit të shënuar në minutën e 45-të, nga Petër, ekipet nuk i vizituan asnjëherë portat respektive.

Pjesa e dytë ishte ndryshe, jo se u zhvillua kushedi se çfarë loje, por të paktën u shënuan edhe katër gola. Ballshiotët dyfishuan sapo nisi pjesa e dytë me kapitenin Fjodor Xhafa në minutën e 46’. Ndonëse durrsakët ngushtuan fillimisht në 1-2 me Veliajn në të 78-ën, Ballshiotët i goditën sërish në të 90-ën me Bakiun, i cili e bëri të pavlefshëm golin e Mancakut të shënuar një minutë më vonë.

Teuta vijon ecurinë negative duke rregjistruar humbjen e katërt rresht, ndërsa me fitoren 2 me 3 që morën në “Niko Dovana”, ballshiotët e shikojnë veten të kualifikuar për fazën e mëtejshme. Për Teutën ndeshja e sotme nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, kjo u pa qartë edhe nga mënyra e impenjimit në fushë.

Me pretendime të tjera kishin ardhur miqtë, të cilët morën një fitore të madhe në Durrës. Tekniku ballshiot në fund të takimit u shpreh: ”Jam shumë i kënaqur nga fitorja e arritur në Durrës ndaj një kundërshtari si Teuta. Kjo fitore na ka ndihmuar në objektivat tona për t’u kualifikuar, por ende asgjë nuk ka mbaruar. Ne na presin edhe dy sfida të tjara, të cilat duhet t’i fitojmë. Laçi dhe Flamurtari janë dy skuadra tejet të forta dhe asgje nuk është e sigurt”, pohoi tekniku Shensoi.

Ndërsa trajneri durrsak Gugash Magani u shpreh se  për Teutën kjo ndeshje ishte thjesht një test: “Kjo ndeshje nuk kishte rëndësi të madhe për ne, përveç faktit që të përgatisim skuadrën. Pra, ishte një ndeshje që kishte vetëm vlera testuese për ne. Pavarësisht se humbëm jam i kënaqur nga loja dhe kam marrë përgjigjen e duhur prej tyre, pasi në përgjithësi luajtëm mirë dhe me kujdes. Në kampionat është një histori tjetër dhe jam i bindur që do të shihni një Teutë ndryshe”,- përfundoi Magani.

 

Teuta – Bylis 2-3

Shënues: Veliaj 78’, Mancaku 90+1, / Petër 45’, Xhafaj 47’ Bakiu 90’,  

Formacionet 

Teuta: Hoxha, Sheta, Jakupi, Stafa, Da Silva(Marku 46’), Veliaj, Tahiri, Hyshmeri, Mancaku, Nika. Muriqi, (Hoxha 56’) Tr.G.Magani

Bylis:Haxho, Idrizi (Kelmendi 78’), Shoshi, Adebajo, Ristevski, Arifaj, Sefa, Xhafa, Peter, Xhon, Meto, (Bakiu 50’) Tr. N.Shesoy

Gjyqtarë: B.Ziu(F.Kruje), Gj.Bori(Shkodër), E.Veseli(F.Krujë)

Vëzhgues:M. Allkja