Futbolli shqiptar me gazin në maksimum. Kukësi nis mbrojtjen e Kupës së Shqipërisë, trofe që arriti ta fitonte sezonin e shkuar pas finales spektakolare kundër Laçit. Trofeu i dytë më i rëndësishëm në vend debuton ditën e mërkurë me sfidat e para të edicionit 2016-2017. Disa ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit përcaktoi datat dhe kalendarin e ruandit të parë të këtij kompeticioni. Ndeshjet e para të turit të 1/16-ave do të luhen në datën 28 Shtator ndërsa ato të kthimit, një javë më pas në datën 5 Tetor. Ashtu sic e parashikon edhe renditja e sezonit të kaluar të kategorisë Superiore, Kukësi mbajtësi në fuqi i trofeut, do ta nisë aventurën  me sfidën ndaj Tomorit të Beratit. Verilindorët bëjnë pjesë në grupin A, ashtu si edhe Skëndërbeu që udhëton drejt Sarandës për të matur forcat me Butrintin. kundërshtarin e ruandit të parë. Partizani që është pozicionuar në grupin B, do të përballet me Kevitanin, Tirana do të sfidojë Sopotin e Librazhdit, ndërsa Laci do të përballet me Turbinën e Cërrikut. Të lehtë pritet ta ketë edhe Teuta ndaj Shënkollit ndërsa nuk mendohet të hasë vështirësi as Vllaznia ndaj Mamurrasit. Më të vështirë nga skuadrat e Superiores duket se do ta ketë Luftëtari për të kaluar turin e parë sepse gjirokastritët do të ndeshen me Elbasanin. Flamurtari sfidon Ilirinë ndërsa Korabi, Kamzën. Përsa i përket ndeshjeve të tjera pritet me interes derbi i Myzeqesë mes Apolonisë dhe Lushnjes apo dueli Dinamo-Pogradeci. Të gjitha skuadrat e kategorisë Superiore ndeshjet e para të këtij ruandi do t’i zhvillojnë në transfertë ndërsa ato të kthimit në shtëpi. Të gjitha takimet do të luhen të mërkurën në orën 16:00.