TIRANE, 26 mars 2013 – Fitorja me Norvegjinë i ka dhënë krahë kombëtares së De Biazit, që ka nisur në mënyrë spektakolare ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë në stadiumin “Qemal Stafa”.
Edhe pse fusha ka qenë në gjendje shumë të rënduar, kjo edhe për shkak të reshjeve, kuqezinjtë kanë arritur të shënojnë katër gola, nga të cilët 3 vetëm në pjesën e parë.
Në minutën e 33-të ka qenë Alban Meha që përmes një goditje nga shumë larg zonës ka shënuar një gol spektakolar.
Katër minuta më vonë është Edgar Çani që shënon një gol, pasi goditi topin në hyrje të zonës.
Por kombëtarja nuk është ndalur, pasi pesë minuta më vonë është Migjen Basha që shënon një gol të mrekullueshëm.
Me nisjen e pjesës së dytë shqiptarët thellojnë edhe më shumë rezultatin, por këtë herë falë lojtarëve miq, që shënuan autogol në portën e tyre.
Në minutat e mbetura lituanezëve nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të përpiqeshin të shënonin golin e nderit, për ta mbyllur këtë ndeshje në Tiranë me humbjen e thellë 4-1.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





