DURRES, 20 mars 2013 – Kombëtarja u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes së radhës, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së enjtes kuqezinjtë do të fluturojnë drejt Oslos, ku do të përballen me eleminatoret e kampionatit botëror “Brazil 2014” me vendasit norvegjez. Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive dhe lojtarët janë shprehur optimist për këtë përballje.
Deklaratat e lojtarëve
Salihi: “Skuadra është gati dhe kemi besim se do të marrim një rezultat pozitiv në Norvegji. Kemi pak problem të ftohtin, pasi atje temperatura do te jetë nën 0, megjithatë nuk besoj se ky fakt do të ndikojë negativisht në lojën tonë”.
Cana: “Ne i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një paraqitje të mirë në Oslo dhe pse jo të kthehemi me tri pikë që andej. Sigurisht do të jetë një ndeshje tejet e vështirë për ne, por njëkohësisht edhe mjaft decizive për të ardhmen e skuadrës në këto eleminatore. Jemi gati dhe të bashkuar, për ta shpartalluar kundërshtarin”.
Basha: “Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht shumë i emocionuar, pasi do të vesh për herë të parë fanellën e përfaqësueses. Ky është një nder për mua, por këtë duhet ta justifikoj me paraqitjen time ndaj Norvegjisë. Jam gati të sakrifikoj për këtë skuadër”.
Dallku: “Do të futemi në fushë me qëllimin për të luajtur lojën tonë, me anë së së cilës do të kërkojmë fitoren. Ne kemi treguar se me skuadra të mëdha kemi zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme, madje kemi marrë edhe pikë. Pse mos e pretendojmë një gjë të tillë edhe këtë radhë ndaj Vikingëve?”
Roshi: “Disa vite më parë më kujtohet që kombëtarja jonë me Bushin, Rrakllin, Taren, Shulkun, Strakoshën, Vatën etj, i krijuan mjaft probleme norvegjezëve, madje kryesonin me shifrat 2-0 deri në minutat e fundit të ndeshjes. Le të zhvillojmë edhe këtë radhë një superndeshje të tillë”.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





