NORVEGJI, 22 mars 2013 – Kuqezinjtë e Gianni de Biazit kanë arritur një fitore mjaft të rëndësishme në transfertën në Oslo. Ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014, kombëtarja shqiptare e fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 në Oslo ndaj vendasve, duke shtuar kështu shpresat për një vend të dytë në grupin E.
Goli është shënuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të pas një skeme mjaft të bukur në ekzekutimin e një goditjeje dënimi. Me këtë fitore kombëtarja jonë ngjitet në kuotën e nëntë pikëve, pas tre fitoreve dhe dy humbjeve. Kombëtarja jonë zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në një terren të vështirë dhe shënoi golin e vetëm të takimit me një skemë të interpretuar në mënyrë të përkryer.
Ervin Bulku gjuajti shkurt një goditje dënimi kur të gjithë prisnin krosimin dhe Salihi u shkëput nga markimi duke goditur fuqishëm aty ku bashkohet shtylla me traversën e duke mos i lënë asnjë shans portierit norvegjez.
Në ndeshjen tjetër të grupit E, Islanda fitoi 2-3 në fushën e Sllovenisë
Fitorja e kombëtares sonë, veç entuziazmit që krijoi mes rreth 3000 tifozëve që e ndoqën ndeshjen live nga Norvegjia, krijoi një atmosferë festive edhe nëpër rrugët e qyteteve shqiptare.
Renditja e grupit E:
Zvicra 10 pikë
Islanda 9
Shqipëria 9
Norvegjia 7
Sllovenia 3
Qipro 3
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





