Mbrëmjen e së enjtes edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të filmit në Durrës uli siparin e tij. Edicioni i sivjetshëm, që përkoi me përvjetorin e këtij evenimenti, tentoi të ruante fort traditën e bukur të krijuar vitet e kaluara, kur personalitete botërore, europiane dhe ballkanike nderuan këtë veprimtari, por edhe qytetin e Durrësit me praninë e tyre.

Këtë herë kolosë të kinemasë si regjizori i njohur Milos Forman apo Lee Perly ishin prezentë, ndonëse vetëm virtualisht. Askush nuk pretendon që tapeti i kuq të shkelet ashtu si në Kanë, Venecia, Berlin etj nga një mori yjesh të kalibrit botëror, por ama gjithkush nga ne do ta dëshironte një gjë të tillë.

Një vit më parë në teatrin “Aleksandër Moisiu” shkeli regjizori i madh Francis Ford Coppola dhe aktorja e mirënjohur Claudia Cardinale, ndërkohë që shumë figura të tjera e kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre festivalin edicionet e kaluara. Kjo është vërtet një arritje për këtë festival që është ende në embrion, është një traditë e bukur që u krijuar, por në të njëjtën kohë që kërkon shumë punë dhe mundësi financiarë që të ruhet dhe të zhvillohet më tej.

Fondet e pakta të vëna në dispozicion treguan dhe njëherë sesa mund të dëmtohet arti nga efekti financiar. Këtë vit organizatorët nuk patën mundësi të përdornin amfiteatrin e lashtë të qytetit, por u mjaftuan me sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu; pati më pak filma në konkurim; reklamat, billbordet etj ishin të limituara; programi i këtij eventi u bë publik për qytetarët e thjeshtë vetëm ditën e parafundit të tij; mungesa fizike e emrave të mëdhenj, por njëkohësisht edhe “braktisja” e natës finale nga ana e autoriteteve të larta shtetërore apo trupit diplomatik ishin disa nga problematikat që lanë shije të hidhur tek të gjithë.

Edhe juria ndërkombëtare, duke mos dashur t’i heqim asnjë presje kontributit që secili prej tre anëtarëve të saj ka dhënë për artin, nuk kishte asnjë përfaqësues të huaj me peshë në lëmin e kinemasë, por vetëm një vajzë të re, e përzgjedhur për faktin se pritet të realizojë një film në Shqipëri, bazuar në romanin “Hana”, të shkrimtares Elvira Dones.

Në të njëjtën kohë juria e FIPRECSI u paraqit e cunguar me vetëm dy anëtarë, ndërkohë që në faqen zyrtare në internet të festivalit ishin prezantuar katër anëtarët e saj. Pavarësisht punës së organizatorëve mangësitë e konstatuara ia hoqën edicionit të sivjetshëm shkëlqimin e viteve të kaluara.

Ky fakt u pranua nga organizatorët që në konferencën e parë për shtyp, dhënë para nisjes së eventit. Si gjithnjë arti dhe kultura mbetën të parët që vuajnë dhe provojnë pasojat e krizës ekonomike dhe fondeve të pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë dhe organizuar një aktivitet të këtyre përmasave.

Në të njëjtën kohë, edhe pjesëmarrja e publikut gjatë orareve të shfaqjes së filmave konkurentë në garë, në sesionet e ndryshme të këtij festivali, la shumë për të dëshiruar. E kjo nuk mund të justifikohet me mungesën e fondeve. Organizatorja dhe drejtuesja e këtij festivali, Anila Varfi pranoi se kostoja financiare e këtij eventi nuk mund të përballohet vetëm me mundësitë e pakta financiare të vëna në dispozicion nga bashkia e qytetit.

Në të kundërt, festivali në edicionet e ardhshme rrezikon të mbetet në nivel lokalist, me prani shumë të kufizuar të personaliteteve të kinemasë europiane e më gjerë apo do të mjaftohet vetëm me praninë virtuale të tyre dhe me shumë pak premiera ballkanike apo europiane.

Të gjitha mangësitë e festivalit të këtij viti duhet të jenë një këmbanë alarmi si për organizatorët, si dhe për institucionet që e mbështesin këtë eveniment për t’u pasur parasysh dhe për t’u riparuar në edicionin e ardhshëm. Rrugëtimi i nisur pesë vjet më parë pritet të shkojë përpara dhe për më tepër të përmbushë misionin e tij, atë që organizatorët e kanë deklaruar që në edicionin e parë, pra kthimin e qytetit të Durrësit në një qytet arti, kthimin e këtij festivali në një pikë të rëndësishme për hartën artistike të rajonit.

E për këtë, përveç vullnetit, dëshirës apo pasionit të stafit organizativ nevojitet shumë më tepër, në të kundërt dështimi i këtij festivali mund të kthehet në një bumerang.