Nëse femrat duan që t’u dëgjohen zëri dhe të bëhen pjesë aktive e shoqërisë duhet pikë së pari të jenë të bashkuara dhe të mbështesin njëra-tjetrën. E këtij mendimi është Majlinda Beltoja, e cila e vlerëson pasive mbështetjen që femrat i japin aktualisht njëra tjetrës. E angazhuar prej vitesh në biznesin privat që e menaxhon së bashku me bashkëshortin e saj, Majlinda thekson se mbështetja e rrethit familjar dhe më pas atij shoqëror janë një shtysë e madhe për një femër që do t’i dedikohet karrierës dhe të jetë e suksesshme. Pa këtë mbështetje një femër, sado e zonja apo me vullnet të fortë të jetë nuk do të arrijë t’ia dalë mbanë me sukses të gjitha sfidave në jetë.

Prej vitesh, së bashku me bashkëshortin tuaj, menaxhoni një biznes privat i përqendruar në tregtimin e pajisjeve elektroshtëpiake, pra merreni me një punë shumë larg formimit tuaj arsimor. Cilat kanë qenë vështirësitë e fillimit?

Fati im ka qenë që në këtë punë kam pasur gjithnjë pranë bashkëshortin tim. Ne jemi shokë të mirë veç faktit që jemi bashkëshortë dhe kjo është një ndihmë e madhe për të dy ne. Në fillim dua ta pohoj që vështirësitë nuk kanë qenë të pakta. Unë kam mbaruar fakultetin e Shkencave të Natyrës, kam mbaruar për biokimi dhe normalisht duhet të ushtroja profesionin e mësueses, por sot drejtoj një biznes privat. Nëse do të kisha mbaruar Fakultetin Ekonomik ndoshta do ta kisha pasur pak më të lehtë në fillim, gjithsesi arrita t’ia dal mbanë. Falë zhvillimit të teknologjisë dhe vullnetit të mirë që duhet të ketë kushdo mund t’ia dalësh mbanë po i vure vetes pikësynime të caktuara. Nëse në fillim konceptet ekonomike më dukeshin si fjalë të huaja, me kalimin e kohës, me praktikë dhe me eksperiencë pune arrita t’i përvetësoj. Ndërkohë përsa i përket përvojës më ndihmoi bashkëshorti im, i cili e nisi i pari këtë biznes rreth 17 vjet më parë.

Të punosh me bashkëshortin është një gjë pozitive apo negative për një grua që kërkon të afirmohet?

Personalisht mund të them që për mua gjërat janë thjeshtësuar falë pranisë së tij. E theksova dhe më sipër që ne jemi shokë në rradhë të parë dhe kjo na ndihmon mjaft në përballimin e problematikave që mund të na shfaqen në punë. Ne jemi njohur që në shkollë, jemi martuar, jemi bërë prindër të tre djemve të mrekullueshëm, kemi qenë në emigracion së bashku, me pak fjalë të gjitha vështirësitë që na kanë dalë përpara në jetë i kemi përballuar së bashku.

Angazhimi në biznesin privat nënkupton orë të tëra larg familjes. A ju është dashur të sakrifikoni në këtë drejtim?   

Besoj se kjo pyetje u bëhet shumë femrave që merren me aktivitet privat. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj dua të theksoj se më është dashur të bëj sakrifica të shumta. Të merresh me një aktivitet privat nuk do të thotë të lësh pas dore familjen, por nënkupton një punë më të madhe për t’i bërë mirë të dyja gjërat. Për dy djemtë e mëdhenj mungesa ime në shtëpi nuk është aq e ndjeshme, ndërsa më i vogli që është vetëm 5 vjeç e kërkon praninë time më të zgjatur në shtëpi. Gjithsesi jam përpjekur që pasi mbaroj punën t’i përkushtohem maksimalisht, pasi koha që kaloj larg tij më ka mbetur peng në vetvete. 

Në ditët tona flitet shumë për gratë në karrierë, për gratë e angazhuara në aktivitete private etj. Sipas jush, a e ka sot një grua më të lehtë të afirmohet, të vlerësohet?

Nëse një femër ka mbështetjen e rrethit të saj familjar, të partnerit apo bashkëshortit sigurisht që e ka më të lehtë të afirmohet, të jetë e suksesshme, të bëjë karrierë. Mundësitë janë shumë më të mëdha sot për një femër që kërkon të bëjë karrierë, por dua të nënvizoj se ende nuk është shuar mentaliteti që e sheh femrën më shumë si protagoniste në jetën familjare sesa në atë shoqërore. Gjithsesi emancipimi i shoqërisë sonë në këto vite i ka bindur femrat se nëse kanë aftësi, nëse kanë vullnet dhe dëshirë ato mund të arrijnë të afirmohen dhe të vlerësohen në profesionin që kanë zgjedhur.

Krahas dëshirës dhe vullnetit të vetë femrës për të bërë karrierë cilët janë faktorët e tjerë që do t’ia  lehtësonin asaj rrugën që ka ndërmarrë?

Femrat në rradhë të parë duhet të tregojnë një vullnet të fortë, sepse dëshira  mund të kemi të gjithë, por jo të gjithë i realizojmë ato. Në rradhë të dytë duhet mbështetja e rrethit të saj familjar dhe shoqëror. Edhe këta janë faktorë shumë të rëndësishëm që do ta shtynin një femër të çante përpara.

Po një lobim i fortë mes femrave a do të ndihmonte në këtë gjë?

Normal që dhe kjo është e rëndësishme. Një apo dy zëra dëgjohen pak, tre-katër nisin të tërheqin vëmendjen, kur janë më shumë zëra kthehen në faktor që nuk mund ta anashkalosh, ndërsa shumë zëra kthehen në një thirrje të fuqishme që do të dëgjohet patjetër. Kjo është ajo që duhet të bëjnë gratë. Pra në rradhë të parë duhet të përkrahin njëra-tjetrën e pastaj të këmbëngulin që dhe meshkujt t’i dëgjojnë.

Sipas jush lobimi femëror është aktiv apo pasiv?

Për mua është pasiv dhe ka nevojë për nxitje. Femrat nuk duhet të takohen vetëm për të kaluar disa orë me shoqërinë, për të bërë pak thashetheme, por duhet të diskutojnë për rrugët që duhet të ndjekin për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet nga pjesa tjetër e shoqërisë.  

Cilat janë rrugët që duhet të ndjekin femrat për t’u afirmuar në profesionin e tyre apo në aktivitetin privat që kanë ngritur?

Primare për mua është përkushtimi që femrat duhet të tregojnë drejt shkollimit të tyre, drejt ngritjes profesionale. Nëse arrijnë të kenë një formim të mirë arsimor, nëse kanë vullnetin dhe dëshirën për të bërë sa më mirë punën që kanë marrë përsipër sigurisht që vlerësimi qoftë nga eprorët apo kolegët nuk do t’u mungojë.