Është krejtësisht e natyrshme të duam të ndajmë jetën me partnerin tonë, të ndihemi të lidhur, të sigurt dhe të dashur. Por kjo ndjenjë e bukur mund të marrë një kthesë të rrezikshme kur lidhja shndërrohet në varësi dhe kontroll. Ajo që në fillim duket si përkushtim dhe pasion, me kalimin e kohës mund të kthehet në një marrëdhënie mbytëse, ku dashuria ngatërrohet me posesivitetin.
Shpesh, ndjenja “je i imi”, “je e imja”, që në dukje tingëllon romantike, mund të fshehë një dëshirë për kontroll. Sa më intensive të jetë lidhja, aq më i madh është rreziku që kufijtë të zhduken. Xhelozia dhe kujdesi janë normale deri në një pikë, por kur kalojnë këtë limit, bëhen shenja alarmi.
Ja disa situata kur duhet të ndaleni dhe të vendosni kufijtë tuaj:
Kur ai përpiqet t’ju izolojë nga të tjerët
Në fillim mund të duket si një ëndërr: partneri që dëshiron të kalojë çdo moment me ju. Por kur ai fillon t’ju largojë nga miqtë, familja apo aktivitetet tuaja, kjo nuk është më dashuri, por është kontroll. Një partner i duhur nuk ju izolon, përkundrazi, ai respekton dhe përkrah marrëdhëniet tuaja të tjera. Nëse dikush ju do vërtet, ai dëshiron të jetë pjesë e botës suaj, jo ta zvogëlojë atë.
Kur kritikat bëhen të vazhdueshme
Kritika konstruktive mund të jetë e dobishme në një marrëdhënie, por kur çdo gjë që bëni vihet në dyshim, nga mënyra si visheni apo silleni, deri te zgjedhjet tuaja personale, kemi të bëjmë me diçka tjetër. Një partner që ju kritikon vazhdimisht nuk po përpiqet t’ju ndihmojë, por t’ju ndryshojë dhe t’ju bëjë të ndiheni të pasigurt. Dashuria e vërtetë të pranon për atë që je, nuk të tjetërson.
Kur cenohet privatësia juaj
Besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Në momentin që partneri kontrollon telefonin tuaj, mesazhet apo rrjetet sociale pa lejen tuaj, kjo është një shkelje e qartë e kufijve. Të jesh në një lidhje nuk do të thotë të humbasësh individualitetin apo hapësirën personale. Secili ka të drejtë të ketë privatësinë e vet, dhe kjo duhet të respektohet.
Në fund të ditës, një marrëdhënie duhet t’ju bëjë të ndiheni mirë, të lumtur dhe të plotësuar, jo të kufizuar apo të mbytur. Nëse ndiheni sikur po humbni veten për hir të dikujt tjetër, është momenti të ndaleni dhe të reflektoni. Ndonjëherë, vendosja e kufijve nuk është vetëm e nevojshme, por edhe shpëtimtare për mirëqenien tuaj emocionale.





