TIRANË, 15 shkurt 2013– Piratët në Shqipëri janë orvatur që “Djalli të vishet me Prada” false, po të parafrazohet titulli i filmit dhe romanit të Loren Vajsbergerit (Lauren Weisberger) “The Devil Wears Prada”. Para disa ditësh u asgjësuan 2196 copë këpucë sportive me origjinë nga Kina, cenuese të markave tregtare “Adidas”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Asgjësimi u krye nga përfaqësuesi ligjor i mbajtësit të së drejtës, nën mbikëqyrjen e Degës së Doganës Tiranë dhe të Drejtorisë për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Këto mallra u dyshuan si cenuese të së drejtës së pronësisë intelektuale dhe u bllokuan në doganë në fund të vitit të kaluar. Pas përfundimit të të gjithave procedurave të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, ku mbajtësit e së drejtës “Adidas AG” dhe “Adidas International Marketing BV” konfirmuan që këto mallra ishin cenuese të markave tregtare “Adidas” u procedua për asgjësimin e tyre.

Gjatë vitit 2012 në sistemin e doganave të Shqipërisë u shkatërruan  copë 6556 mallra “firmato” false “Adidas”, “Caterpillar”, “Diesel”, “Chanel”, “Hugo Boss”, “Lacoste”, “Levi’s”, LV, “Nike”, “Prada”, “Puma”. Bie në sy se në Durrës janë asgjësuar 6304 copë mallra të miratuara, ose mbi 96 për qind të krejt sistemit doganor shqiptar. Sasia më e madhe i takon datës 24 shtator 2012 kur u shkatërruan 3846 artikujve të falsifikuar. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” ka siguruar fotografi nga aksioni i asgjësimit i datës 24 shtator 2012.

Ja markat e famshme tregtare dhe sasia në copë e artikujve falsë të asgjësuar në doganat shqiptare

Marka              copë

Adidas

1099

Caterpillar

    14

Diesel

    88

Chanel

  118

Hugo Boss

  159

Lacoste

  130

Levi's

1035

LV

1918

Nike

1430

Prada

  200

Puma

  365

Total

      6556

 

(th.m./ AGJENCIA E LAJMEVE "DYRRAH")