Dokumentet e fundit të zbuluara që lidhen me Jeffrey Epstein tregojnë se Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, shkëmbeu emaile me Epstein në dy raste të ndara gjatë viteve 2012 dhe 2013 për të bërë plane për një vizitë në ishullin e tij.

Në një nga emailet, Musk duket se shkruan: “Probably just Talulah and me” (“Ndoshta vij vetëm unë dhe Talulah”), duke iu referuar ish-gruas së tij, aktoren britanike Talulah Riley. Ai më pas pyet: “Çfarë dite/nate do të jetë party më i çmendur në ishullin tuaj?”

Epstein i përgjigjet duke thënë se “raporti në ishullin e tij mund ta bëjë Talulah të ndjehet e parehatshme”, por Musk përgjigjet se “raporti nuk është problem për Talulah”. Megjithatë, duket se Musk nuk vizitoi kurrë ishullin për shkak të asaj që ai e quajti në një email “çështje logjistike”. Në rrjetin X, Musk deklaroi se kishte pasur shumë pak korrespondencë me Epstein dhe kishte refuzuar ftesa të përsëritura për të vizituar ishullin ose për të udhëtuar me avionin e tij, të njohur si “Lolita Express”.

Dokumentet e fundit përfshijnë gjithashtu një draft aktakuzë kundër Epstein me 32 akuza të ndryshme, përfshirë prostitucionin dhe trafikun seksual. Në dokument është një dorëshkrim që thotë “draft i vjetër”. Nuk është e qartë kur është krijuar dokumenti ose kush e ka shkruar këtë shënim, por duket se ka ardhur nga Gjykata e Distriktit Jugor të Floridës në SHBA.

Drafti i aktakuzës emërton Epstein si pronar të një prone në Palm Beach dhe disa kompani, dhe në fund ka një vend të rezervuar për firmën e Prokurorit të SHBA-së Alexander Acosta. Acosta, në vitin 2007, kishte arritur një marrëveshje me Epstein që i lejoi financieri të shmangte një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm, duke kryer vetëm 13 muaj burg nga një dënim 18-mujor.

Gjatë dëshmisë së tij për konfirmimin si Sekretar në mars 2017, Acosta mbrojti këtë marrëveshje, duke thënë se ajo kërkonte që Epstein të regjistrohej si person i dënuar për krime seksuale dhe të shkonte në burg. Publikimi i dosjeve të pedofilit të dënuar Epstein kanë tronditur botën, me figura botërore, që përmenden në to.