Jemi në ditët e para të muajit maj, por temperaturat kanë nisur të ngrihen duke paralajmëruar stinën e verës, që zyrtarisht nis në qershor. Ndërsa frika nga koronavirusi ka kaluar disi, shumë qytetarë kanë nisur të mendojnë për plazhin. Tani për tani është e pamundur, megjithëse rastet e atyre që bëjnë banjo dielli apo futen në det nuk mungojnë. Javën e kaluar, në media u publikua drafti paraprak i rregullores së hartuar nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me shoqatat e këtij sektori. Ende nuk ka një datë konkrete se kur do të bëhet publik drafti përfundimtar dhe kur do të nisë sezoni turistik, por operatorët janë duke bërë disa parapërgatitje në mënyrë që të jenë gati për pushuesit e parë.
DurrësLajm kontaktoi me Eduart Xhepën, kreun e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) në Durrës për të mësuar më shumë sesi është pritur drafti nga operatorët turistikë dhe nëse janë të realizueshme të gjitha pikat e draft rregullores për plazhet, hotelet, baret e restorantet.
“Ky draft është hartuar nga specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Turizmit dhe prej një jave u është dorëzuar shoqatave të turizmit. Anëtarët e ATA-s kanë mbi një jave që konsultohen me draftin dhe kemi bërë sugjerimet dhe vërejtjet tona. Drafti është shumë i zgjeruar. Kjo pandemi ka shumë të panjohura dhe masat e parashikuara në draft janë shumë të forta. Ne si struktura turistike do t’i realizojmë të gjitha, por kërkojmë edhe bashkëpunimin e klientëve, sepse nëse do të zbatojmë pikë për pikë rregulloren do të jetë e vështirë të operosh në atë formë me secilin klient”,– tha Xhepa.
Goditja që pandemia Covid-19 i dha sektorit të turizmit është shumë e fortë. Xhepa e pranon se ky vit do të jetë mjaft i vështirë për strukturat akomoduese.
“Humbjet në sektorin e turizmit janë shumë të mëdha dhe ky sezon është shumë i vështirë për strukturat akomoduese. Ne të gjithë po përgatitemi për të marrë nga ky sezon më të mirën që mund të marrim në këto kushte. Mendojmë që këtë sezon turistik të punojmë me turistët vendas, por edhe ato të rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Bosnje Hercegovinë dhe Serbi). Nëse do të krijohet ky treg rajonal do mundim të minimizojmë sadopak humbjet”,- deklaron Xhepa.
Por kur do të mund të nisim plazhin apo të planifikojmë pushimet? Sipas Xhepës, ende nuk ka një datë konkrete nga Ministria e Turizmit, por ai beson se në fund të këtij muaji mund të nisë
“Një datë të saktë ende nuk ka, por ne shpresojmë se me hapjen e aktiviteteve si bare e restorante në datë 18 maj mund të hapen edhe plazhet. Besoj se nga fundi i këtij muaji mund të nisë sezoni, por do doja që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe t’i marrin me seriozitet masat kufizuese. Nuk duhet t’i marrin me shaka dhe me trimëri, pasi nuk ka trimëri me këtë lloj virusi ende të panjohur”,- tha Xhepa.
Çfarë parashikon drafti i rregullores së plazheve
Këtë verë, do të duhet të qëndrojmë 3 metra larg njëri-tjetrit në det, ndërsa çadrat në rërë do të jenë 3,5 metra larg njëra-tjetrës. Kështu është përcaktuar në draft-protokollin e përbashkët të Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë, që propozon masat që duhet të merren nga operatorët turistik për sezonin veror.
Në draft përcaktohet se ky protokoll do të hyjë në fuqi nëse shfuqizohet gjendja e emergjencës, e cila deri tani përfundon më 23 qershor.
Në draft-protokoll përcaktohet gjithashtu distanca prej 1 metër qe pasagjerët duhet të mbajnë në autobusë dhe furgona kur udhëtojnë me mjete të përbashkëta.
Ndërsa në hyrje të çdo hoteli apo shtëpie pushimi duhet të matet temperatura e vizitorëve, në mënyrë automatike ose përmes një personi të caktuar për këtë detyrë.
Shërbimi bufe nëpër hotele nuk do të lejohet, sipas këtij draft-protokolli, pasi klientët do të duhet të shërbehen në çdo rast nga personeli i restorantit, sigurisht duke përdorur maska dhe doreza
Në draft-protokoll përcaktohet mbyllja e të gjitha këndeve për fëmijët brenda hoteleve dhe shtëpive të pushimit, si edhe aktivitetet sportive, kulturore, koncerte apo organizime të tjera të ngjashme.
Çadrat e plazhit do të duhet të vendosen minimumi 3 metra larg bregut të detit për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të pushuesve, ndërsa për çdo 100 çadra kërkohet të ketë në dispozicion të pushuesve një dush me ujë të ëmbël.
M.B.





