Shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare “Dveri”, në Kuvendin e Serbisë, Boshko Obradoviq, tha sot se procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës përfundon muajt e ardhshëm me nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe njohjen e Kosovës.
Ai këtë deklaratë e bëri, duke sugjeruar se kreu shtetëror i Serbisë, përpara bisedimeve përfundimtare, do të duhej të thërrasë misionin ushtarak rus në Serbi.
Obradoviq, në një konferencë shtypi në Parlamentin e Serbisë, siç raportojnë mediat e Beogradit, vlerësoi se udhëheqja shtetit të Serbisë duhet ta thërras misionin ushtarak të Rusisë që të qëndrojë në Serbi për aq kohë sa misioni i NATO-s të jetë në Kosovë, çka do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët e Serbisë.
Sipas Obradoviqit, partia e tij “Dveri” para një muaji kanë dërguar këtë iniciativë konstruktive, “por udhëheqja e shtetit serb po hesht”.
“Nëse duam që në mënyrën më të mirë ta zgjidhim çështjen e Kosovës dhe të forcojmë pozicionin negociues – ne kemi një zgjidhje: kur NATO të tërhiqet nga Kosova, atëherë të tërhiqet Rusia nga Serbia”, thotë Obradoviq
Lideri i partisë opozitare ka konkluduar se “‘rusofilët e mëdhenj dhe patriotët’ në krye të Serbisë nuk guxojnë të tërheqin një lëvizje të tillë, për shkak se dikujt tjetër në anën tjetër të botës, i kanë dhënë premtimin e gjashtë vjet më parë, kur erdhën në pushtet”.
“Në muajt e ardhshëm ky proces do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me shtetin e ‘rremë’ të Kosovës dhe njohjen e tij”, tha Obradoviq, duke shtuar se në krye të Serbisë është një “President i shantazhuar”.
“Nëse kjo nuk është e vërtetë, le të dalë publikisht Aleksandar Vuçiq dhe le të thotë se ai kurrë nuk do të nënshkruajë marrëveshjen dhe t’i japë Kosovës një ulëse në Kombet e Bashkuara”, tha Obradoviq, duke konstatuar se “Vuçiq për këtë arsye po hesht, por nesër përsëri shkon në Bruksel për bisedime”. Express