Kryeministri Rama vizitoi pacientët në Spitalin e Traumës të cilët po marrin ndihmë mjekësore pas goditjeve të tërmetit.

I pyetur nga gazetarët për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kreu i qeverisë tha se ky akt formal nuk ka rëndësi.

Rama u shpreh se sot ishte dita e të gjithë njerëzve të zakonshëm, ndërsa shtoi se kjo ditë është “një rast i mirë për të kuptuar që kemi bërë shumë gam, gam, gam”.

Rama veçoi edhe solidaritetin e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, të cilët sipas tij janë sulmuar ditët e fundit.

Deklarata e plotë e Ramës:

Kemi humbur jetë njerëzish. Kemi pasur jo pak jetë të shpëtuara. Kjo ditë ka qenë pa diskutim dita e atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve apo edhe uniformën e trupave speciale të ardhura nga Kosova që janë bërë shëmbëlltyrë e një bashkimi kombëtar në dhimbje dhe sakrificë.

Kanë qenë gjithë heronjtë e kësaj dite. Bluzat e bardha që i kemi përgojuar pa hesap në ditë me diell, sot kanë qenë në krye të detyrës për të kuruar jetë njerëzish. Për fat të keq, bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar por lus Zotit që të mos ketë përfunduar as bilanci i jetëve të shpëtuar nga rrënojat ku ende marrin frymë njerëz. Qe një ditë sa e rëndë aq edhe e mbushur me emocion dhe rezultat i një solidariteti të jashtëzakonshëm të shqiptarëve dhe miqve të këtij vendi.

Ambasadat janë vënë ditët e fundit në shënjestër. Sot në mëngjes herët në emër të SHBA-ve dhe BE-0së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them që qeveria ka bërë maksimumin. Kemi qenë në terren të gjithë.

Është sureale të flasësh me Presidentin e Francës kur je përballë një gërmadhe në Durrës.