Një ditë pas vendimit të gjykatës së Durrësit, që nuk ia dha mandatin kryebashkiakes Valbona Sako, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, prefekti i Durrësit, Roland Nasto është duke ndjekur nga afër procesin e konstituimit të organeve të pushtetit vendor. Gjykatësja Mimoza Margjeka e konsideroi një ditë më parë 30 qershorin si proces nul, pasi Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar. Nga ana e saj, Valbona Sako deklaroi se do ta apelonte vendimin.
Deri më tani vetëm kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka marrë vendimin nga gjykata, ndërsa konstituimi i këshillave bashkiakë nuk ka nisur ende. Procesi është bllokuar në KQZ, pasi ky institucion nuk arrin kuorumin e nevojshëm me 5 vota, pas votimit kundër të kryetarit Klement Zguri.
Në mbledhjen që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi ditën e hënë me 12 prefektët kërkoi prej tyre vendosjen e komunikimit midis kabineteve të kryetarëve të bashkive që dorëzojnë detyrën dhe kryetarëve të bashkive që marrin postin. Prefekti Nasto deklaron se aktualisht janë marrë kontakte me sekretarët e këshillave për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi në kohën më të shkurtër të mundshme.
Në qarkun e Durrësit janë 3 bashki, ajo e Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Vetëm në Krujë kryebashkiaku aktual Artur Bushi do të vijojë mandatin e tij të dytë, ndërkohë që në Durrës vendin e Vangjush Dakos e zë Valbona Sako, ndërsa në Shijak, Elton Arbana do të jetë kryebashkiaku i ri në vend të Ardian Kokomanit.
M.B.





