Nuk do të luajë më për një klub të madh evropian dhe nuk do të garojë në kampionatet prestigjioze të klubeve të krijuara nga UEFA, por qershorin e kaluar Cristiano Ronaldo mori pjesë në një tjetër kampionat evropian me Portugalinë e tij, duke u ndalur vetëm përballë Francës, në çerekfinale, pas goditjeve të penalltive.
Pasi e mbylli Evropianin, CR7 u kthye në Arabinë Saudite për t’u ribashkuar me Al Nassr. Në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, CR7 shënoi edhe dy gola kundër Kroacisë dhe Skocisë (të dyja ndeshjet të fituara nga Portugalia).
Me pak fjalë, kampioni portugez nuk ndalet kurrë. Dhe me rastin e publikimit të episodeve të reja të serialit të Netflix “Unë jam Georgina”, kushtuar bashkëshortes së tij, u shfaqën kuriozitete të reja për karrierën e Cristiano Ronaldos.
“Kur Cris më tha se do të luante për Al-Nassr, u ndjeva shumë e lehtësuar, sepse mezi prisja të largohesha nga Manchesteri.
E dija që na prisnin gjëra të mëdha dhe të gjithë ishim super të motivuar. Isha shumë e lumtur që kalova në Arabinë Saudite”, deklaroi parnerja e CR7.
Ndërsa për fundin e mundshëm të karrierës së 39-vjeçarit, pesë herë fitues i Topit të Artë, Georgina theksoi:
“Është e pabesueshme edhe sot të shohësh sesi futbolli ende e motivon atë si ditën kur e takova. Ai gjithmonë do të japë gjithçka. Kur njerëzit më pyesin se kur do të pensionohet Cristiano, i them vetes se mund të tërhiqet në moshën 50-vjeçare”.