Finlandë, 27 shkurt 2014– Një “Test vdekjeje”, në gjendje të përcaktojë për një periudhë 5 vjeçare shanset që një njeri i shëndetshëm mund të vdesë apo jo, është zbuluar nga shkencëtarët. Siç raporton “The Telegraph”, që i referohet gazetës mjekësore “PLOS Medicine”, kërkuesit finlandezë kanë mbetur të habitur kur kanë zbuluar se një analizë e thjeshtë gjaku mund të parashikojë nëse një person do të vdesë, edhe nëse ai nuk është i sëmurë.
Katër komponentë, janë tregues të qartë nëse personi që bën këtë analizë gjaku, do të jetojë normalisht gjatë pesë viteve të ardhshme, do të vdesë ose do të shkojë drejt vdekjes. PLOS Medicine raporton se të katër këta komponentë gjenden në gjak, por i rëndësishëm dhe deciziv është niveli i tyre në të.
Një nga kërkuesit që u morën me këtë studim, dr. Johannes Kettunen, nënvizon se është mjaft interesant fakti sesi këta katër komponentë reflektojnë rrezikun vdekjeprurës që i kanoset një personi nga lloje të ndryshme sëmundjesh që nga ato të zemrës e deri tek kanceri. Sipas tij, në të ardhmen ky test do t’i vijë në ndihmë mjekëve për të identifikuar personat që në dukje janë të shëndetshëm, por që në fakt vuajnë nga sëmundje ende të pashfaqura, si dhe për ti rekomanduar këtyre personave të marrin kurimin e nevojshëm mjekësor. Por nga ana tjetër kërkuesit shkencorë shtrojnë pyetjen nëse një person do të dëshironte apo jo të dinte nëse do të gjente vdekjen në harkun kohor të pesë viteve.
Shkencëtarët thanë se kanë studiuar për disa vite rresht, duke analizuar gjendjen shëndetësore të mëse 17 mijë njerëzve të shëndetshëm. Çdo vit atyre u janë bërë analizat e gjakut për të parë ecurinë dhe për të identifikuar praninë e mundshme të 100 kimikateve të ndryshme. Më pas shkencëtarët bënin krahasimin mes pacientëve që ishin gjallë dhe të tjerëve që kishin vdekur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





