Tiranë, 16 mars 2014 – Sot, në Shqipëri, gratë janë pronare të 27% të bizneseve në vend, ndërsa synohet që kjo shifër të rritet në 35% deri në vitin 2020. Sot, për të njëjtën punë, orar apo vështirësi në punë, burrat paguhen mesatarisht një e katërta e pagës më shumë se sa gratë. Deri në vitin 2020 synohet që punësimi i grave përmes programeve nxitëse të rritet me 75%. Por, përtej shifrave që flasin në disfavor të grave nuk mungojnë shembujt e modeleve të suksesshme të biznesit që ato drejtojnë
Nga Elona Bedalli
Viti 2014 do të jetë ai i femrave në biznes, duke qenë se gjithnjë e më shumë kompani, komunitete dhe vende po investojnë në forcimin e pozitës së saj në sipërmarrje. Kjo konfirmon atë që organizata të rëndësishme, si Banka Botërore kanë thënë: gratë janë thelbësore për rritjen ekonomike në botë. Gjithnjë e më shumë po besohet se gruaja sipërmarrëse e sheh botën nga një këndvështrim tjetër, i bën gjërat ndryshe. E kjo reflektohet në biznese të ndryshme. Coco Chanel, e mësoi tregtinë e rrobaqepësisë që kur ishte fëmijë, Estée Lauder e ktheu pasionin për kujdesin ndaj lëkurës dhe make-up në një perandori bukurie ose Oprah Winfrey, që e shndërroi biznesin e medias në një hapësirë për të ndihmuar gratë të rrisin potencialet e tyre. Të dhënat e Monitorit Botëror të Sipërmarrjes tregojnë se janë 126 milionë gra që operojnë në një biznes të ri dhe 96 milionë që po synojnë të hapin një të tillë. Hendeku mes burrave dhe grave në biznes duket se nuk do të mbyllet, por të paktën tenton të zvogëlohet. Vetëm në shtatë vende: Panama, Tajlandë, Gana, Ekuador, Nigeri, Meksikë dhe Ugandë gratë përfaqësohen në mënyrë të barabartë me burrat në biznes.
Në Amerikë, tre në dhjetë gra kanë aktivitetin e tyre në biznes, ndërsa kontribuojnë vetëm 4% në totalin e të ardhurave që grumbullohen nga sektori privat.
Studimet ndërkombëtare tregojnë se vështirësitë më të mëdha kanë të bëjnë me aksesin ndaj kapitalit. Gratë vuajnë nga mungesa e kolateralit për shkak të rregullave diskriminuese dhe kjo bën që ato të mos kenë akses të ndjeshëm në kredimarrje.
Bizneset e reja që lindin kanë nevojë për mbështetje që të lulëzojnë. E në këtë pikë merr kuptim edhe vlera e mentorëve, këshilluesve që shumë industri kanë në mesin e tyre. Shumë nuk e kanë këtë mbështetje dhe kjo shpjegon faktin se pse ato kanë më pak mundësi sipërmarrjeje sesa meshkujt.
Gratë kanë nevojë për edukim sipërmarrjeje. Idetë e biznesit të femrave më të shumtën e kohës lindin në kuzhinë, më shumë sesa në garazhe apo shkolla biznesi, por studimet tregojnë se gratë dyshojnë më shumë tek aftësitë e tyre dhe i tremben dështimit më shumë se meshkujt. Trajnimet mund t’i pajisin femrat me më shumë besim për të realizuar në praktikë idetë e tyre.
Sipas studimeve, zvogëlimi i hendekut gjinor në punësim do të rrisë të ardhurat për person me rreth 20% deri në vitin 2030.
Por, përfitimet që sjell pjesëmarrja e grave në sipërmarrje shkojnë përtej këtyre vështirësive. Figurat lidere frymëzojnë gratë e tjera për të ndjekur ëndrrat e tyre. Gratë e kanë më të lehtë të balancojnë jetën private me punën. Në tregjet e vendeve në zhvillim, gratë riinvestojnë 90% të fitimeve të tyre në familje dhe komunitet, çka do të thotë se të investosh te gruaja do të thotë të investosh tek e ardhmja kolektive.
Bota ka nevojë për gratë në biznes dhe këto të fundit për të gjithë ne. Është koha që të punohet për t’i siguruar gruas kushte që ajo të lulëzojë në botën e biznesit.
…në Shqipëri
Femrat, pronare të 27% të bizneseve në vend; deri në vitin 2020 do të arrijë 35%
Në Shqipëri, sipërmarrjet e drejtuara apo pronare nga femrat janë në nivel të ulët, në rreth 27% të të gjitha bizneseve aktive për vitin 2011, sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë. Mbi 90% e bizneseve të drejtuara nga gratë gjenden në sektorët e shërbimeve (tregti me pakicë, turizëm, profesione të lira etj.). Rreth 30% e të vetëpunësuarve janë femra. Përqindja e disbursimit të kredive nga bizneset e grave arriti në 25% në vitin 2011. Ministria e Ekonomisë thekson se mungojnë politika për mbështetjen e sipërmarrjeve femërore dhe sipas raportit të “SME policy index 2012”, Shqipëria vlerësohet me 2,5 pikë (nga 5 pikë maksimale). Për këtë arsye, në strategjinë e saj për bizneset dhe investimet, Ministria e Ekonomisë parashikon, që duke pasur edhe mbështetjen e donatorëve të ndërmerren disa masa konkrete për mbështetjen e grave në biznes:
– Ndërmarrja e një anketimi në territorin e vendit, me qëllim për të siguruar të dhëna të sakta mbi numrin, sektorët, madhësinë, vendndodhjen gjeografike, problematika që hasin gratë dhe nevojat në zhvillimin e biznesit të tyre;
– Mbi bazën e gjetjeve dhe konkluzioneve të këtij anketimi, synohet drejt hartimit të një programi mbështetës për gratë sipërmarrëse, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e tyre në biznes;
– Krijimi i bazës së të dhënave mbi perfomancën ekonomike të grave në biznes;
– Rritja e ndërgjegjësimit si shkalla e përfitimit nga programet e BE-së, me qëllim për të rritur numrin e grave ambasadore dhe mentorë dhe me qëllim për t’u bërë pjesë e network-ut në nivel rajonal dhe europian;
– Hartimi i një dokumenti politikash për sipërmarrjen e grave, plan veprimi dhe buxhet;
– Zbatimi i politikave adekuate për gratë në biznes, duke i shoqëruar me programe mbështetëse financiare si: skema grante për fillimin e biznesit dhe për fuqizimin e tyre, skema mbështetëse për të rritur aksesin në financë të femrave sipërmarrëse.
– Krijimi/mbështetja e network-ut kombëtar për gratë sipërmarrëse.
Ndërmarrja e këtyre masave ka si qëllim që të rrisë numrin e sipërmarrjeve femërore deri në fund të vitit 2020 duke e çuar në 35% të të gjitha bizneseve aktive. Gjithashtu synohet që numri i femrave të vetëpunësuara deri në fund të vitit 2020 të arrijë në 35%, ndërsa po me kaq përqindje të rritet edhe disbursimi i kredive për sipërmarrjet femërore.
Ndërsa “Strategjia e punësimit dhe aftësimit 2014-2020” synon rritjen me 10% të numrit të grave dhe burrave që marrin pjesë në programet e punësimit.
Mësohet se nga 16,923 nxënës të regjistruar në shkollat profesionale, vetëm 16.1% janë femra. Kjo është një shifër që deformon edhe tregun e punës që në bankat e shkollës. Sot në Shqipëri ka shkolla profesionale ku nga 1,134 nxënës, nuk ka asnjë vajzë në to.
Strategjia e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë synon të rrisë me 75% numrin e grave që sigurojnë punësim të qëndrueshëm përmes Fondit të Nxitjes së Punësimit, si dhe rritjen me 25% të numrit të personave që duke ndjekur programe të formimit profesional të kenë akses të barabartë në tregun e punës.
Sot për të njëjtën punë, orar apo vështirësi në punë, burrat paguhen mesatarisht një e katërta e rrogës më shumë se sa gratë. Aksesi i barabartë në arsimim (i detyruar, profesional dhe programe trajnimi) do të përmirësonte cilësinë e jetës, do të rriste të ardhurat dhe do të përmirësonte shëndetin e popullatës. Nëse u referohemi statistikave të fundit, nga shtatori në dhjetor 2013 janë punësuar 2.336 punëkërkuese femra, ndërsa në janar 2014 janë punësuar 475 femra. Në periudhën shtator-dhjetor 2013, 1.243 femra kanë marrë pjesë në kurset e formimit profesional, ndërsa në janar të 2014-s, numri i femrave që kanë marrë pjesë në këto kurse është 167.
Shqipëria renditet ndër ato vende që aspiron të avancojë në të drejtat e grave dhe vajzave dhe luftës kundër diskriminimit gjinor.
/Monitor/





