Një studim i publikuar në New York Times, ka trajtuar situatën fizike të njerëzve pasi kalojnë Covid-19. Mjekët që kanë marrë pjesë në studim kanë vërejtur se shumë pacient që përpiqeshin t’i ktheheshin aktivitetit të mëparshëm, kishin vështirësi në frymëmarrje dhe lodhje ekstreme.
Gjithashtu këto vështirësi ishin parë dhe tek pacient mjaft të shëndetshëm dhe të aftë fizikisht, përpara se të infektoheshin me Covid-19. Edhe nëse kishin simptoma të lehta gjatë infektimit, përsëri, situata fizike post-covid ishte e vështirë.
Njerëzit që kanë patur një aktivitet të rregult fizik përpara infektimit me Covid-19, duhet të marrin disa masa përpara se të ushtrohen përsëri:
Mos u ushtroni nëse jeni ende i/e sëmurë
Mos ushtroni nëse keni simptoma aktive, duke përfshirë ethe, kollë, ose dhimbje gjoksi.
Rikthehuni ngadalë në aktivitetin fizik
Edhe nëse keni pasur vetëm simptoma të lehta, pa dhimbje gjoksi apo pa temperaturë, duhet të prisni derisa të keni të paktën shtatë ditë pa simptoma para se të ktheheni në stërvitje. Filloni me vetëm 50% të intensitetit normal. Rekomandohet një kthim gradual, hap pas hapi dhe i ngadalshëm në aktivitetin e plotë.
Ndaloni ushtrimet nëse simptomat kthehen
Nëse pas kthimit në aktivitetin fizik ju kthehen simptomat, duke përfshirë dhimbje gjoksi, ethe, rrahje zemre të shpejta duhet të vizitoni një mjek.
Testohuni
Nëse keni simptoma të ftohjes ose gripit, testohuni për Covid-19 para se t’i ktheheni stërvitjes. Nëse mendoni se mund të keni pasur Covid-19, një test mund t’ju ndihmojë ju dhe mjekun tuaj të merrni vendime për kthimin e sigurt në stërvitje.
Edhe nëse nuk jeni diagnostikuar kurrë me Covid-19, kini kujdes dhe kushtojini rëndësi mënyrës se si ndiheni. Shumë njerëz me Covid-19 nuk e dinë se e kanë, ose kanë simptoma të përgjithshme si shqetësime të lehta, lodhje ose dhimbje të muskujve. Prandaj tani më shumë se kurrë duhet ta dëgjoni trupin tuaj.