Angli, 10 qershor 2014 – Një adoleshenteje britanike i ka kushtuar më shtrenjtë se pushimet përdorimi i rrjeteve sociale gjatë dy javëve të kaluara me të ëmën në plazhet e Antalias, në Turqi.

Clarisa Grice dhe nëna e saj, kur janë kthyer nga pushimet dyjavore në Turqi, janë përballur me faturën e majme që duhej të paguanin për përdorimin e internetit në telefonin mobil.

Vajza kishte përdorur rrjetet Facebook, Twiter dhe WhatsApp, duke menduar se po merrte sinjalin wi-fi të hotelit, por në fakt kishte lënë të aktivizuar opsionin roaming dhe kompania i ka faturuar për shërbimin 2907 paund (rreth 4 650 000 lekë të vjetra).

Nëna e vajzës, të cilës i përkiste numri, thotë se u shokua kur mori faturën, pasi nuk kishte bërë asnjë telefonatë dhe nuk kishte dërguar asnjë SMS.

Ajo thotë se kompanitë e telefonisë së lëvizshme duhet të informojnë paraprakisht klientin, për të mos u përballur me “surpriza” të tilla shokuese.

Ky nuk është rasti i parë që kompania britanike ORANGE merr një ankesë të tillë, shkruan Daily Mail. Një tjetër abonente, Katie Bryan, është faturuar me 2600 paund për shkarkimin nga interneti të albumit të grupit të saj të preferuar, ndërsa ndodhej me pushime në Afrikën e Jugut.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/