Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Kavajë, opinioni publik është zgjuar i tronditur mëngjesin e sotëm.

Shumë banorë të qytetit të vogël shprehen të shqetësuar për krimin e ndodhur pasditen e së mërkurës, ku Edmond Gosa dhe Sali Rexha, ekzekutuan njëri-tjetrin duke përdorur thikë dhe pistoletë.

“Kjo qe një ngjarje e jashtëzakonshme. Njeriu nuk duhet të bëjë veprime të pa menduara mirë. Kur flet goja para mendjes, hapi rrugë budallikut!”,- thotë një qytetar.

Me sa di unë kanë pasur konflikte me njëri-tjetrin. Nuk ka gjë më të ulët sesa të vrasësh tjetrin kur ka fëmijën përdore”, – thotë një tjetër qytetar.

Në vendngjarje duken qartë njollat e gjakut të viktimave të krimit të një dite më parë.

Shtetasit Edmond Gosa dhe Sali Rexha u takuan një ditë më parë për t’u sqaruar në lidhje me një konflikt të mëparshëm, por se duket se diçka e tillë nuk është arritur dhe situata ka përfunduar me të dy protagonistët të vdekur.

Në momentin e ngjarjes një nga viktimat, Sali Rexha ka qenë në prani të gruas dhe të fëmijës së tij të mitur.

Sipas informatave zyrtare nga policia, të dy shtetasit rezultojnë se kanë ndërruar emrat e tyre në gjendje civile, teksa ende nuk dihen arsyet e këtyre veprimeve.

Shtetasi Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin e tij dhe në dokumente e ka Armand Gosa, ndërsa nga ana tjetër shtetasi Altin Rexha ka ndryshuar emrin e tij në Sali Rexha.