Gjirokastër, 24 qershor 2014  – Për rreth një javë me rradhë vëmendja e të gjithë Shqipërisë e jo vetëm ishte e përqendruar në aksionin e ndërmarrë nga policia në Lazarat, në fshatin rebel, që mediat e huaja e etiketuan “Meka e marijuanës”.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, në media janë shfaqur foto të ndryshme që mundohen të shpalosin para syve të kureshtarëve Lazaratin, “fortesën” e kultivuesve të kanabisit në Shqipëri, “fshatin e gjelbërt”, zonën ku policia kishte frikë të hynte deri një javë më parë.

Në galerinë e fotove të mëposhtme që sjell për ju “Dyrrah” dhe që flasin më shumë se fjalët dalin në pah aspekte të ndryshme të jetës së fshatit malor, tonelatat me kanabis që hasen ngado, farat e bëra gati për t’u mbjellë, bimët që kishin nisur të lulëzonin, asgjësimi i tyre nga policia, kontrollet e RENEA-s në të gjitha skutat e Lazaratit, armët e rënda që të sjellin ndërmend ’97 e largët, por edhe vilat e bukura të banorëve, të ngritura falë fitimeve të mëdha të siguruara nga kultivimi i kanabisit.

Madje në njërën nga fotot, mes tymit të lëshuar nga djegia e kanabisit, bie në sy minareja e xhamisë, besimtarët e devotshëm të së cilës ishin të vetmet familje që nuk kishin kultivuar hashash.

Gjatë një kontrolli të policisë, të ushtruar ditën e djeshme, u gjetën të braktisura miliona lekë në një tunel. Pakot me 1000 lekë të reja janë atyre si për të na kujtuar jo vetëm fitimet kolosale të kultivuesve të bimës narkotike, por edhe bumin ekonomik që ishte ulur këmbëkryq në Lazarat, duke e kthyer këtë fshat në “Las Vegasin e shqiptarëve”, siç e quajtën në media ‘argatët modernë’, që punonin aty për bukën e gojës.

Fotot që po ju servirim flasin qartë për të gjitha këto, madje edhe më tepër, ato të shtyjnë të reflektojmë…

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/